Gjatë fjalimit të tij në Samitin e Klimës që po mbahet në Glasgow, në Skoci, kryeministri Edi Rama tha Shqipëria po vuan pasojat e vendeve të mëdha, që janë ato që ndotin më shumë planetin.
Kryeministri shqiptar u shpreh se burimet energjitike të Shqipërisë janë 100 % hidrike, me zero karburant dhe fosile, duke përdorur energjinë e ripërtëritshme, por përsëri asaj i duhet të paguaj ndotjen që krijojnë vendet e mëdha.
Rama theksoi se Shqipëria, ka nevojë për ndihmën e shteteve të mëdha, por kjo ndihmë duhet të jepet në formën e granteve dhe jo si hua duke i futur në borxhe.
“Shpresoj që do t’i mbani premtimet për financim, për të mbështetur vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme; duke nisur nga modele të energjisë së pastër, siç është Shqipëria. Ky financim nuk duhet të vijë në formën e huave që i zënë vendet tona në grackën e ciklit të borxhit, por përmes granteve që na fuqizojnë të investojmë. Dhe shpresoj që mbështetja nuk do të vazhdojë të nënkuptojë studime e strategji pa fund, ndikimi i të cilave është shumë herë më i ulët sesa kostoja që duhet për të paguar njerëzit nga vendet e pasura që i hartojnë ato.”- tha Rama.