Më shumë se 100 liderë botërorë kanë premtuar t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030, në marrëveshjen e parë të madhe të samitit të klimës COP26.
Siç shkruan BBC, kjo marrëveshje përfshin pothuajse 14 miliardë paund (19.2 miliardë dollarë) fonde publike dhe private.
Ekspertët e mirëpritën masën, por paralajmëruan se një marrëveshje e mëparshme në vitin 2014 kishte “dështuar fare të ngadalësonte shpyllëzimin” dhe duhej të përmbusheshin angazhimet.
Prerja e pemëve kontribuon në ndryshimin e klimës sepse varfëron pyjet që thithin sasi të mëdha të CO2.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, tha se “më shumë liderë se kurrë më parë” – gjithsej 110 – ishin angazhuar në këtë marrëveshje.
“Ne duhet të ndalojmë humbjen shkatërruese të pyjeve tona dhe t’i japim fund rolit të njerëzimit si pushtues i natyrës, dhe në vend të kësaj të bëhemi kujdestarë të natyrës.“- tha Johnson.
Samiti dy-javor në Glasgow shihet si vendimtar nëse ndryshimi i klimës do të vihet nën kontroll. Vendet që kanë nënshkruar këtë zotim përfshijnë Kanadanë, Brazilin, Rusinë, Kinën, Indonezinë, Republikën Demokratike të Kongos, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Mes tyre edhe Shqipëria e cila përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama (kliko këtu për listën e plotë).
Një pjesë e fondeve do të shkojnë në vendet në zhvillim për të rivendosur tokat e dëmtuara, për të trajtuar zjarret dhe për të mbështetur komunitetet indigjene.