Vendosni fjalën kyçe....

“Theu traun” e dy doganave, 39-vjeçari arrestohet pas ndjekjes nga policia në Greqi


Policia e Vlorës ka dhënë informacion mbi ngjarjen e ndodhur ditën e sotme në pikën e kalimit kufitar me Greqinë në Qafë Botë ku një shtetas shqiptar “theu traun” e dy doganave duke iu shmangur policisë.

Policia njofton se ditën e sotme, në pikën kufitare Qafë-Botë, një automjet tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin Gardjan Mirukaj, 39 vjeç, banues në Lezhë, ka kaluar pikën kufitare duke mos iu bindur urdhrit të Policisë për të kryer kontrollin dhe verifikimin e dokumentacionit, duke kaluar në territorin grek në mënyrë të jashtëligjshme dhe duke mos iu bindur për ndalim dhe Policisë Greke.

Si rezultat i bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Sarandë falë dhe shkëmbimit në kohë të informacionit, është bërë i mundur ndalimi i këtij shtetasi, në hyrje të Igumenicës, ku gjatë kontrollit të ushtruar në automjet nuk i është konstatuar asnjë send i jashtëligjshëm.

Nga ana e Komisariatit të Policisë Sarandë do të kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.