Vendosni fjalën kyçe....

VMRO thirrje Zaevit: Mbaj fjalën e dorëhiqu siç bëre të dielën, mos e kthe vendimin


Partia opozitare në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE i ka kërkuar kryeministrit të vendit, Zaev, që të mbajë fjalën e të dorëhiqet siç njoftoi mbrëmjen e së dielës.

Në një reagim zyrtar, partia më e madhe opozitare thekson se kreu i qeverisë duhet të largohet siç deklaroi e vendi të përgatitet për zgjedhje të parakohshme.

Më tutje në deklaratë thuhet se LSDM-ja në pushtet nuk ka fituar asnjë komunë të madhe në zgjedhjet lokale të së dielës, shkruan INA.

“LSDM dhe humbësi Zaev nuk fitoi në asnjë komunë të madhe, ndërsa në të njëjtën kohë deklaroheshin se ishin më të mirët. Populli u dërgoi mesazh se është i pakënaqur dhe mposhti politikën e ndarjeve dhe konflikteve. Zaevizmi si sistem duhet të bjerë. Në këto zgjedhje kishte parregullsi brutale, presione dhe kërcënime nga pushteti si dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore. Duhet të ketë përgjegjësi për këto keqpërdorime. Humbësi Zaev edhe në humbje është i pandershëm dhe duhet ta mbajë fjalën dhe premtimin e dhënë dhe të mos krijojë atmosferë për vazhdim të mandatit. Kjo qeveri nuk ka besueshmëri për udhëheqjen e shtetit.” – thuhet në reagimin e VMRO-së.