Gazetari Artan Hoxha ka publikuar një video ku shfaqet një mjet i ngarkuar me kompjutera, që sipas tij i përkasin një ‘Call Center’-i në Tiranë.
Hoxha shkruan se pas denoncimit në media, pronarët e ‘Call Center’-it të paligjshëm në katin e dytë të një pallati në mes të Tiranës kanë urdhëruar boshatisjen e zyrave në mes të natës.
Hoxha vijon në denoncimin e tij se dy ortakët e ‘Call Center’-it, një shtetas gjerman e një tjetër që lëvizte në Tiranë me një mjet luksoz ‘Lamborgini’ kanë vendosur të fshehin gjurmët sa nuk është vonë.
“Mbani frymën njerëz. Lajm i minutës së fundit… Kjo historia me call center mori paksa për dreq…
Mjaftoi një javë denoncime në media dhe një urdhër i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, që “bosët” të urdhëronin boshatisjen me urgjencë në mes të natës, të ambjenteve ilegale ku kishin vendosur call center-at e tyre. Pamje direkte, që tregojnë sesi po boshatiset në orët e vona të nates, një ambjent call center i vendosur në katin e dyte të një pallati në qendër të Tiranës. Mesa duket dy ortakët, njëri shtetas gjerman dhe tjetri në mos gaboj, lëvizte me Lamburgini, kanë vendosur të fshehin gjurmët sa nuk është vonë. Shprehja popullore “këmbët e shpejta, faqja e bardhë”, në këtë rast merr kuptim më shumë se kurrë. Mesa duket, klientët në Gjermani, në Zvicër, apo vende të tjera të BE-së, duhet të urojnë, që policia e prokuroria shqiptare t’i gjejnë “agjentët” e tyre të bursës, përpara se ata të jenë zhdukur pa lënë gjurmë dhe me llogaritë e boshatisura drejt ishujve offshore…” – shkruan Hoxha në Instagram.