Në prezantimin e nismës kushtetuese për vetingun e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj, deklaroi se pastrimi i politikës nga zyrtarët e lartë dhe politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin i shërben një qeverisje më të mirë për qytetarët dhe i jep fund modelit të papërshkueshmërisë.
Gjatë fjalës së tij, Rushaj tha se ka ardhur koha që politikanët të trajtohen nga ligji njësoj si gjyqtarët, prokurorët dhe policët.
“Dekriminalizimi i plotë dhe zbatimi i të njëjtave norma të vetting-ut për vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar, dhe ligjshmërinë e pasurisë, duhet të zbatohet edhe ndaj zyrtarëve të lartë publikë, ku përfshihen deputetët, Kryeministri, ministrat, kryebashkiakët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Kjo garanton parimin e barazisë përpara ligjit, dhe përbën një premisë për një qeverisje të pandikuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, duke pastruar nga radhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, individë të lidhur me krimin e organizuar dhe të korruptuar.“- u shpreh Rushaj.
Më pas ai përdori fjalët e Paolo Brosellino-s ku tha: “Ekziston një keqkuptim bazë sipas të cilit politikani që shoqërohet me mafiozë, nëse nuk dënohet nga gjykata, është i ndershëm! JO! Gjykata mund të bëjë vetëm vlerësime të natyrës gjyqësore. Është detyrë e institucioneve që Të flakin politikanët e afërt me Mafian, për të qenë të ndershme dhe për t’u shfaqur si të tilla”.