Vendosni fjalën kyçe....

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, SPAK përfundon hetimet dhe çon 7 të pandehur në gjyq


SPAK ka mbyllur hetimin mbi rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës duke çuar në gjyq 7 të pandehur.

Përmes një njostimi për mediet, SPAK bën me dije se ka dërguar për gjykim të akuzuarit Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini,

Ndërkohë që janë lënë të lirë nga hetimet Bajram, Leonard dhe Elton Hajri, si dhe Aleks dhe Ardian Doçajn, pasi prokuroria thotë se nuk provohet që personat nën hetim të kenë kryer veprat penale përkatëse.

Sipas SPAK pengmarrja e Jan Prengës u porosit nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçaj, për shkak se i vëllai i tij Astrit Prenga kishte vjedhur një sasi kokaine nga grupi i tyre kriminal.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr. 62, të vitit 2020, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dërgimin për gjykim të çështjes në ngarkim të të pandehurve:

Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/1 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal;

Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/2 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.

Gjithashtu Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e akuzës për personat nën hetim Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj, pasi nuk provohet që personat nën hetim të kenë kryer veprat penale përkatëse.

Nga hetimi rezulton se:
Të pandehurit Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz, Shqipëri. Kjo, pasi sipas tyre, shtetasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike. Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer në Shqipëri, në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Ndërkohë hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave në kuadër të një hetimi të plotë e të gjithanshëm për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.