Vendosni fjalën kyçe....

Rushaj për Reformën Territoriale: T’i japim fund dështimit të reformës së njëanshme me 61 bashki, lanë qytetarët pa shërbime dhe rritën kostot


Në mbledhjen që po zhvillohet në Këshillin për Legjislacionin po diskutohen propozimet e PD-së për ndryshimet kushtetuese, vettingun e politikanëve, reformën zgjedhore dhe atë territoriale. 

Lidhur me këtë të fundit, demokratët paraqitën disa argumenta kryesorë që sipas tyre kanë çuar në kërkesën për një reformë të re territoriale, për të cilën duhet ndryshimi i Kushtettuës.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj, tha se reforma e PS-së kishte dështuar në 3 drejtime kyçe: rritjen e kostosve për bashkitë e reja, paaftësinë për të ofruar shërbime më të mira dhe heqjen e aksesit për shërbime më të mira nga qytetarët.

Gjatë fjalës së tij, Rushaj renditi konstatimet dhe konkluzionet e agjensive të pavarura për zbatimin e Reformës Territoriale dhe kërkoi miratimin e nismës për reformën territoriale.

FJALA E RUSHAJT:

Reforma Administrative-Territoriale nuk ka reflektuar plotësisht parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore.

Reforma nuk ka rrjedhur nga një proces i gjerë konsultimesh dhe të shtrirë në kohë dhe nuk ka ndjekur kriteret e afirmuara nga praktikat evropiane.

Reforma Administrative-Territoriale nuk ka përmbushur objektivat. Legjislacioni i ri nuk zbatohet plotësisht, procesi i përthithjes së funksioneve të reja nga ana e punonjësve dhe rritja e cilësisë së shërbimeve nuk është arritur të realizohet me sukses.

Konfigurimi i ri i kufijve administrativë të bashkive nuk është bazuar në kritere të qartë dhe specifike, të tillë si: kriteri i popullsisë minimale, kriteri gjeo-kulturor, tradita, ekonomia etj.duke krijuar një asimetri të kufijve bashkiakë, mes Veriut (amalgamim) dhe Jugut (framgentarizim), por edhe mes bashkive brenda një rajoni.

Kufijtë e rinj bashkiakë nuk kanë dalë nga një vullnet vendor i institucionalizuar përmes procesit të referendumeve, duke shkelur kështu Kartën Europiane të Autonomisë Vendore (neni 5).

Legjislacioni i ri (konkretisht Ligji “Për Financat Vendore” dhe Ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore”) nuk është harmonizuar me ligje te tjera ne vazhdim.  Legjislacioni i ri nuk ka sjellë rritje të buxhetit të bashkive që ishte thelbi i decentralizimit. Niveli është pak a shumë i njëjti si para reformës territoriale- administrative, pra nga buxheti qendror alokohet jo më pak se 1% e GDP-së që është niveli më i ulët rajonal.

Për shkak të bashkimit të Bashkive dhe Komunave në një bashki të vetme, banorët kryesisht të zonave rurale janë braktisur dhe nuk marrin asnjë shërbim, duke sjell pasoja në jetën e tyre për shkak të mungesës së shërbimeve. Edhe pse banorët e zonave rurale paguajnë të njëjtat taksa dhe tarifa vendore, është evidente që ato nuk arrijnë të marrin asnjë shërbim në shumicën dërrmuese të zonave rurale.