Vendosni fjalën kyçe....

Shpallen fajtorë dy policët në Britani, shpërndanë në WhatsApp fotot e dy motrave të vrara në Londër


Dy efektivë të Policisë Mtropolitane në Londër, Deniz Jaffer dhe Jamie Lewis u deklaruan fajtorë të martën për akuzat për sjellje të pahijshme në poste publike midis 7 qershorit dhe 23 qershorit 2020 pasi shpërndanë fotografitë e dy motrave të vrara në WhatsApp.

Dy oficerët ishin vendosur për të mbrojtur skenën e ngjarjes pasi 46-vjeçarja Bibaa Henry dhe 27-vjeçarja Nicole Smallman u gjetën të therura brutalisht me thikë në disa shkurre në një park në Londër.

Policët u deklaruan fajtorë për akuzat për sjellje të pahijshme në poste publike, pasi u akuzuan për thyerjen e kordonit policor për të bërë fotografi ‘të papërshtatshme’ dhe ‘të paautorizuara’ të motrave të vrara përpara se të shpërndanin pamjet në WhatsApp.

Jaffer ishte akuzuar se kishte bërë katër fotografi, ndërsa Leëis bëri dy, njëra prej të cilave iu dërgua një kolegeje me fytyrën e Lewis të mbivendosur në trupin e viktimës.

Ata të dy u arrestuan pas një hetimi nga Zyra e Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC). Dy oficerët e Policisë Metropolitane, janë pezulluar nga detyra që nga qershori 2020, në pritje të rezultatit të gjyqit.

Pas pranimit të fajësisë së tyre, nëna e viktimës, i quajti veprimet e oficerëve ‘të neveritshme’.

Dy viktimat, të cilat ishin motra, u vranë nga 19-vjeçari Danyal Hussein, i cili u dënua me burgim të përjetshëm. Huseini vrau Henrin dhe Smallmanin si një ‘sakrificë’ për një demon, për të cilin ai besonte se do t’i sillte ‘pasuri dhe fuqi’ dhe do ta ndihmonte të fitonte lotarinë.