Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, ka thënë sot se banorët e ‘5 Majit’ të cilëve do u prishet banesa e që janë në proces legalizimi do marrin aq metra katrorë sa e ka pasur banesën para prishjes.
Ai shtoi se banorët që janë pronarë të rregullt me dokumente do trajtohen sipas ligjit e do përfitojnë më shumë se të tjerët që janë në proces legalizimi.
Veliaj tha gjithashtu se asnjë media nuk mund t’i vërë gjobët atij.
“Pronarët do marrin më shumë se ç’kanë, ndërsa ata në proces legalizimi te lagjja ‘5 Maji’ do marrin shtëpi, do i sistemojmë të gjithë banorët. Disa me letra, disa në proces legalizimi. Edhe banorët që janë në proces do trajtohen, kush është pronar me letra do trajtohet me formulën e pronarit. Kush është vetëm në proces legalizimi, pra e ka marrë atë tokë që ka qenë tokë shteti, do marrë metrat katror siç i ka pas. Kush është pronar do trajtohet si pronar e do marrë më shumë se ç’kishte. Kush është i palegalizuar, sa metra ka pasur, do marrë aq metra banesë. Nga kasolle do marrin shtëpi të projektuara nga Stefano Boeri. Askush nuk mund t’i vërë gjobë kryetarit të bashkisë ndërsa ata politikanë që duan të bëjnë karrierë do humbin. Mediat do damkosen nëse duan gjoba për të marrë apartamente si spekulantë.” – tha Veliaj.