Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka reaguar lidhur me shkarkimin e zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit, Oltion Rrumbullaku ditën e sotme.
Shkarkimi i tij u bë në mbledhjen e qeverisë ditën e sotme por ai në të njëjtën kohë po raportonte në Komisionin Parlamentar.
Zhupa shkruan se Kushi u largua nga mbledhja dhe delegoi zëvendësministrin për raportim për komisionit dhe në mbledhjen e qeverisë e shkarkoi atë.
“Qeveria e barsoletave!
Sot në komision në orën 12:00 ministrja e arsimit Kushi u largua se do shkonte në mbledhje qeverie dhe na la të përgjigjej zëvendësministri Rrumbullaku për pjesën e mbetur.
E delegoi në mbledhje për të na dhënë përgjigje para komisionit, ndërkohë shkoi në mbledhje tjetër për ta shkarkuar! Ose ministren e arsimit nuk e pyet njeri dhe as nuk kishte ide qe do e shkarkonin zv.ministrin e saj, ose ajo është tallur me parlamentin duke lënë në raportim dikë që ishte në shkarkim!
Të dyja tregojnë nivelin e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmin e kësaj qeverisje”- shkruan Zhupa.