Policia e Sarandës ka identifikuar tre personat që grabitën banesën e një noteri në Sarandë. Ngjarja ndodhi më 20 tetor të këtij viti në Lagjen 1 të qytetit bregdetar.
Sipas policisë, në kuadër të operacionit ‘Butrinti’ janë arrestuar 52-vjeçari Elis Avduli, banues në Konispol, 39-vjeçari Oltjon Kolonja (Pula), lindur në Krujë e banues në Sarandë dhe 34-vjeçari lindur në Berat e banues në Sarandë.
Atyre u janë sekuestruar dy mjetet e përdorura gjatë grabitjes, katër aparate celularë dhe një automatik që është përdorur në grabitje.
Njoftimi
“Sarandë, finalizohet operacioni policor i koduar “Butrinti”
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 20.10.2021, në lagjen nr.1, Sarandë, ku nën kërcënimin e armës dhe dhunës, shtetasit Thoma Kaçi (noter), në banesë, i morën një shumë parash. Vihen në pranga 3 autorët e dyshuar të ngjarjes. Sekuestrohen 2 automjete dhe 4 aparat celularë. Disa ditë pas ngjarjes, Policia gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit automatik të përdorur në këtë ngjarje.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, pas një pune hetimore të pandërprerë, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjes me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, të një shume parash në banesën e shtetasit Thoma Kaçi, ngjarje e ndodhur në datë 20.10.2021, në lagjen nr.1, Sarandë. Mbi bazën e provave të siguruara nga hetimi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë nxori urdhrat e ndalimit për autorët e dyshuar.
Në këtë kuadër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Butrinti”, në kuadër të të cilit u bë kapja e tre autorëve të dyshuar dhe ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të caktuar nga Prokuroria për shtetasit:
Elis Avduli, 52 vjeç, lindur dhe banues në Konispol, i dënuar më parë në shtetin grek, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
Oltjon Kolonja (Pula), 39 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Sarandë;
Vladrias Himaj, 34 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Sarandë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjetet e dyshuara të përdorura në këtë ngjarje dhe 4 aparate celular. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Materialet shtesë iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.”