Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuesi që vendosi për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Balla shkruan se me këtë vendim u vërtetua se askush nuk i merr dot sovranitetin popullit “për interesa dhe hesape të turpshme politike”.
“Si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, përshëndes vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila certifikoi plotësisht ligjshmërinë e Zgjedhjeve Vendore të 30 Qershorit 2019.
30 Qershori 2019 u certifikua si dita e mësimit historik se fjala sovran nuk është një fjalë boshe dhe askush me kurrë s’mund të tentoje t’ia marrë popullit sovranitetin për interesa te ulëta dhe hesape të turpshme politike.
30 Qershori 2019 ishte dita e njerëzve te zakonshëm, që pavarësisht votojnë apo nuk votojnë, respektojnë të drejtën e tyre themelore për të zgjedhur dhe kurrë nuk mund të detyrohen nga askush të heqin dorë nga kjo e drejtë. Ato zgjedhje vendosën përfundimisht popullin mbi partitë dhe për të mbyllur përfundimisht një histori te gjate lojërash të partive me popullin.
Mbajtja e zgjedhjeve në datën e përcaktuar nga Kushtetuta, ishte një meritë e të gjitha institucioneve të cilat Ligji themelor dhe ligjet e tjera ngarkojnë me organizimin e zgjedhjeve. Natyrshëm Kuvendi i Shqipërisë ka një meritë të veçantë, sepse mori përgjegjësitë e duhura me qëndrimin e prerë në respekt të ligjshmërisë”-shkruan Balla.