Gjykata e Lushnjës ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për djalin 19-vjeçar nga Cërriku i cili akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë 11-vjeçare nga Lushnja.
Në një deklaratë për mediet, avokatja mbrojtëse e të riut, Eva Gjeta e konsideroi të padrejtë vendimin e gjykatës, pasi djali ka mohuar të ketë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.
Megjithatë, ka pranuar se ai e ka marrë 11-vjeçaren në shtëpinë e tij për qëllime serioze, por vajza nuk i ka treguar se është e mitur.
“Sapo dola nga ambientet e gjykatës ku u vlerësua seanca gjyqësore. Nga ana e organit të akuzës nuk u paraqit asnjë provë që të provohet fakti që i mbrojturi prej meje të ketë konsumuar një nga vepra për të cilat akuzohet. Por gjykata vendosi që të vendoset masa ‘arrest me burg’.
Për ne ky është një vendim i pambështetur në prova. Djali nuk pranon të ketë kryer marrëdhënie seksuale. Ai thotë se e ka njohur prej një jave e ka marrë në shtëpi për qëllime serioze dhe në asnjë moment nga vajza nuk i është bërë me dije se ka qenë një e mitur.”- deklaroi avokatja.
Fisnik Halili u arrestua dy ditë më parë nga policia e Lushnjës pasi akuzohet për marrëdhënie seksuale më të mitur.
Ai kishte një javë njohje në rrjetet sociale dhe pretendon se kishte rënë në dashuri me 11-vjeçaren, të cilën më pas ia prezantoi familjes së tij sepse kishte qëllime serioze. 19-vjeçari pretendon se vajza e ka gënjyer për moshën duke iu paraqitur si 17-vjeçare.