Vendosni fjalën kyçe....

Muzeu gjysmak i ushtrisë si vendgjarje krimi


Nga Klodian Tomorri

Tenderi sekret 6 milionë euro që Ministria e Mbrojtjes kontraktoi në fund të vitit 2019 për ndërtimin e një muzeu ushtarak është një rast flagrant, ku ligji përthyhet në funksion të interesave privatë dhe jo atyre publike.

Shqipëria nuk përmbush dot detyrimet e NATO-s, në shpenzimet për mbrojtjen se buxheti nuk ka hapësirë. Por Ministria e Mbrojtjes prokuron muze ushtrie 6 milionë euro me tender sekret.

Përtej dyshimeve për qark të shkurtër, e madje edhe njohje mes Kontraktuesit publik dhe kontraktorit privat, përtej dyshimeve se në afërsi të muzeut fantazmë ka interesa familjare pasurore, këtu ka një çështje thelbësore;

A mund të prokurohet me tender sekret një objekt, i cili do të ishte pjesë e guidës zyrtare turistike të Tiranës? Pra cila është logjika e tenderit sekret për një atraksion që do të vizitohej nga mijëra njerëz në ditë? Kush ishte informacioni qe duhej te mbahej i klasifikuar ne kete rast? Kjo është pyetja e parë që duhet të shtrojnë ata, të cilët ngarkohen nga ligji për ta shtruar.

Në një vend normal, sot do duhej të ishte sekuestruar e gjithë praktika e prokurimit. Cilat kompani u thirrën për të shprehur interes, si u përzgjodh kompania fituese, si u negociua kontrata e kështu me radhë?

Më tej akoma, prokuroria do të duhej të verifikonte të gjitha transaksionet e realizuara gjatë kësaj kohe nga palët e lidhura, përfshirë bankat. Se rreziku që në një prokurim të këtij lloji të lëvizin para në shumë hallka, ku secila hallkë i çon gjithmonë e më afër vendimarrësit, është shumë i madh. Ndërsa objekti atje do të duhej të ishte rrethuar nga shiritat e policisë.

Megjithatë ky i muzeut që mbeti rrugës është vetëm njëri prej tenderave.

Ka një statistikë tashmë të konfirmuar zyrtarisht. Në pesë vitet e fundit, Ministria e Mbrojtjes ka zhvilluar më shumë tendera sekretë se sa të gjitha qeveritë e shtetit shqiptar, që nga koha e Ismail Qemalit. Mbi 50 tendera sekretë janë vetëm në periudhën 2014-2018, vetëm nga Ministria e Mbrojtjes.

Në emër të sekretit ushtarak prokurohen muze gjysmakë me tendera sekretë dhe detyrohen qytetarët të paguajnë 6 milionë euro për disa karabina si stalla. Në emër të sekretit ushtarak u blenë patate me tender sekret për pandeminë.

Këto nuk janë procedura të klasifikuara se kanë informacion të klasifikuar. Këto janë procedura të klasifikuara për një arsye të vetme; për të ndarë paratë e qytetarëve rehat.