Vendosni fjalën kyçe....

“Nga lehtësimi i kufijve, tek ftesa dhe thumbat për Malin e Zi” – Deklaratat e Ramës pas takimit me Vuçiçin dhe Dimitrovin për “Open Balkan”


Ditën e sotme, u zhvillua në Beograd takimi i radhës mes tre vendeve që kanë firmosur për iniciativën e ‘Open Balkan’, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. 

Pas përfundimit të këtij takimi, folën në një konferencë të përbashkët për mediet kryeministri Edi Rama, presidenti serb Aleksandar Vuçiç si dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov i cili u detyrua të vinte në vend të kryeministrit të dorëhequr Zoran Zaev.

Në këtë konferencë, Rama ftoi tre vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës së Open Balkan, për të cilën tha se do të ndihmojë në lehtësimin e kalimit në kufi për produktet e fermerëve dhe kompanive.

Më poshtë janë disa nga pikat kryesore për të cilat foli Rama në konferencën që pati me Vuçiçin dhe Dimitrovin.

 “Të lehtësojmë kufijtë”

Kryeminsitri Edi Rama tha se është i lumtur që nga janari 2022 do të nisin përpjekjet për lehtësimin e kalimit në kufi për produktet e fermerëve dhe kompanive.

 “Ndryshe nga takimet e tjera, kësaj here i gjithë fokusi ka qenë te fermerët, bizneset, studentët, akademikët. Për të hequr barrën e rëndë të burokracisë, kontrolleve, inspektimeve.

Më vjen mirë që jemi fokusuar aty ku është edhe thelbi i kësaj nisme, si të zgjerojmë ekonomitë tona dhe tregjet tanë që mbeten tregje të vogla, por nëse integrohen me njëra tjetrën kthehen në një treg të rëndësishëm, jo vetëm për aktorët tanë të tregut, por edhe investimet e huaja direkte në këtë zonë. Që të përfitojmë më shumë investime të huaja direkte të ofrojmë një hapësirë më të gjerë. Sot na u dha mundësia të ballafaqohemi me sipërmarrësit nga të tre vendet. Të gjithë njëzëri në mbështetje të Ballkanit të Hapur ata na kërkuan që atë që nënshkruajmë këtu të kthehet në një realitet të prekshëm për ta në kufi, aty ku fillojnë problemet.”- tha Rama.

Mungesa e tre vendeve në “Open Balkan”

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur se nisma “Ballkani i Hapur” është njësi zbatimi e procesit të Berlinit. Mirëpo ai theksoi se “Ballkani i Hapur” është gjithëpërfshirës dhe është i të gjithëve.

Për tre vendet e tjera të Ballkanit që nuk janë bërë pjesë e nismës, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, Rama tha se i ka dëgjuar arsyet e tyre për këtë por i konsideron arsye të mosaarsyes.

“Ballkani i Hapur nuk është për tre vende, është për të gjashta dhe ndryshe nga procesi i Berlinit nuk merret dot peng nga asnjë vend sepse përcakton qartë se cilido prej vendeve që do të ecë më shpejt mund ta bëjë këtë, pa qenë i detyruar të presë konsensus sikur jemi një karikaturë e BE. E thjeshtë dhe e përsëris, për ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë Ballkani i Hapur është i hapur, është gjithëpërfshirës dhe është i të gjithëve, por as Shqipëria, as Serbia, as Maqedonia e Veriut që kanë vendosur të ecin më shpejt, nuk do presin. Arsyet se përse të tjerët janë skeptikë, i kam dëgjuar. I kam dëgjuar arsyet e Malit të Zi, Bosnjës dhe të Kosovës, por i konsideroj arsye të mosarsyes. Patjetër që unë jam këtu për interesat ekonomike të Shqipërisë, për çfarë duhet të jem këtu për interesat ekonomike të Gjermanisë, Kinës? Interesat ekonomike të Shqipërisë drejtpërdrejt fuqizohen nga Ballkani i Hapur.”- deklaroi Rama.

Thumbat për Malin e Zi

Lidhur me mungesën e Malit të Zi në nismën e ‘Open Balkan’ duke thënë se nuk bashkohet me nismën pasi pretendon futjen në BE dhe e sheh nismën si pak më mbrapa.

Por Rama thekson se nëse BE nuk e pranon, Mali i Zi është i ftuar që të bashkohet.

 “Mali i Zi pret që të futet vitin tjetër në Bashkimin Europian. Këtë gjë ma ka thënë kryeministri vetë. Unë e mirëkuptoj dhe i kam thënë që vitin tjetër ju prisni që të futeni dhe po u futët ne do u kemi avokat më shumë për Ballkanin e Hapur për ta mbrojtur. Por të shohim nëse do futet apo jo. Unë uroj që vërtetë të futet në BE. Nuk e kemi informacionin që qenka gati kjo punë. Kur ta futi Bashkimi Europian. Jam i bindur që do ta mbështesin Ballkanin e Hapur, se ne na shikon si vende që jemi pak më mbrapa. Nëse nuk futet ne i kemi thënë Bujrum hajde futu këtu tani se BE nuk e detyrojmë ne kur na fut.”- tha Rama.

Kërkesa e përbashkët për BE-në

Rama tha se për shkak të dilemave ku është zhytur BE-ja, integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor ka mbetur peng.

Në këto rrethana, ai deklaroi se tre vendet do t’i drejtohen me një qëndrim të përbashkët Bashkimit Evropian.

 “Ramë dakort për një qëndrim të përbashkët adresuar BE-së duke e kuptuar fare mirë situatën në BE me bllokimin absurd që i është bërë procesit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por duke nënvizuar që ne nuk kemi asnjë lëkundje në rrugën për të ndërtuar në vendet tona, vende me standarte të BE-së.

E nga ana tjetër kemi bindjen se BE ndërkohë që është zhytur në dilemat e veta, peng i tyre ka rënë edhe integrimi në BE i rajonit, mund të konsiderojë disa hapa të rëndësishëm për të ardhur më pranë rajonit duke integruar në rrjetin e universiteteve të BE-së universitetet tona, duke integruar në rrjetin e mbështetjes për fermerët fermerët tanë, duke integruar në tregun e përbashkët evropian në aspekte e segmente të caktuara vendet tona.”– tha Rama./Hashtag.al