Kryeministri Rama deklaroi sot se nisma mes tre vendeve është e hapur për të gjashtë vendet e rajonit.
Gjatë konferencës për shtyp nga Beogradi pas takimit me presidentin serb Vuçiç e zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Diimitrov, Rama tha se Bosnja e Kosova janë ftuar vijimësisht që t’i bashkohen nismës.
Sipas tij nga kjo gjë ato nuk do kenë humbje po vetëm përfitime, madje edhe për të adresuar çështjet e tjera që kanë të hapura me Serbinë apo vendet e tjera.
“Kush do vijë t’i bëjë këto. Do vijë Angela Merkel apo Ursula. Jo, do i bëjmë vetë. Ne duam të hapim kufijtë për lëvizjen e qytetarëve, mallrave, shërbimeve. Do i bëjmë për vendet tona, për qytetarët tanë. Ne gjuha na dallon, po zakonet e burokracitë i kemi njësoj. Është e thënë , rithënë, stërthënë publikisht. Të treja vendet pa dallim janë të ftuara të vijojnë të punojnë me ne për njerëzit e tyre. Çështja e mosdakordësisë ka rrugën e vet, dialogun e vet. Nëse gjashtë vendet marrin pjesë, edhe për Kosovën, edhe për Bosnjën, do jetë shumë më mirë atmosfera për të trajtuar edhe çështje të tjera. Shqiptarët e serbët janë për Ballkanin si gjermanët e francezët për Europën. Ua kemi borxh qytetarëve tanë këtë gjë. Gjermania e Franca e nisën mga marrëveshja e çelikut, nga buka, nga shkëmbimi e lëvizja e qytetarëve. Nuk ka asnjë kufizim për askënd.“ – tha Rama.