Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Report TV ka folur për nismën Ballkani i Hapur.
Duke komentuar praninë e kryeministrit të Malit të Zi, Rama tha se herët apo vonë të gjithë do i bashkohen nismës.
Ai e quajti nismën prirje drejt së ardhmes dhe se nuk është një projekt që lidhet me interesin e një apo dy vendeve por një projekt që lidhet me të ardhmen e rajonit.
“Ai ka ardhur për një takim bilateral, dhe ka shprehur dëshirën për të qëndruar dhe të diskutojmë këtë çështje, që është një diskutim i hapur, dhe jam i bindur që të gjithë do vijnë këtu se s’kanë ku shkojnë, s’kanë ku shkojnë në sensin e prirjes drejt së ardhmes, është një prirje drejt së ardhmes ‘Ballkani i Hapur’.
Nuk është një projekt që lindi hajde se po bëjmë diçka për t’i gjetur vetes punë, s’është një projekt që lidhet me ndonjë interes të pjesshëm personal apo shtetëror të Serbisë dhe Shqipërisë, vetëm, por është një projekt që lidhet me të ardhmen e rajonit. Nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin, por fati ka zgjedhur të jetojmë së bashku.
Kemi kaluar kohëra të llahtarshme, tani është koha të ndërtojmë një kohë të re me gjithë vështirësitë që ka duke pasur parasysh edhe mosdakordësitë që kemi, mosdakordësia e madhe mes nesh dhe Serbisë, edhe mes meje dhe presidentit Vuçiç mbi Kosovën, por besoj që mosdakordësitë në paqe zgjidhen me komunikim, dialog, ballafaqim të hapur, dhe duke mos i kthyer ato në pengesë, zgjidhen duke punuar paralelisht, që shumëçka tjetër kemi interes të përbashkët, të shkojë në rrugën e duhur.”-tha Rama.