Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Nisma e hapur për të gjitha vendet, ato që thonë Mali i Zi, Bosnja e Kosova janë arsye të mosarsyes. Do bëj gjithçka për ekonominë e Shqipërisë


Kryeministri Rama tha sot se Ballkani i Hapur është i hapur për të gjashtë vendet e rajonit dhe jo vetëm për tre vendet që janë pjesë e tij tani për tani.

Ai theksoi se arsyet që japin Mali i Zi, Bosnja e Kosova janë arsye të mosarsyes.

Po kështu Rama theksoi se është në këtë nismë për interesat e qytetarëve shqiptarë dhe ekonomisë së vendit dhe do bëjë gjithçka për ekonominë e Tiranës zyrtare.

“Ballkani i Hapur është për të gjashtë vendet jo për tre, dhe ndryshe nga Procesi i Berlinit nuk merret dot peng nga asnjëri vend. Cilido vend që do të ecë më shpejt le të ecë e jo sikur jemi një karikaturë e Këshillit të Europës. Ballkani i Hapur nuk është kundërshtues i Procesit të Berlinit. Është i hapur dhe i të gjithëve. Po ne nuk do presim të tjerët. I kam dëgjuar arsyet e Malit të Zi, Bosnjës dhe Kosovës dhe i konsideroj arsye të mosarsyes. Unë jam këtu për interesat ekonomike të Shqipërisë jo të Gjermanisë apo Kinës. Këto interesa fuqizohen drejpërdrejt nga Ballkani i Hapur. Ky nuk është konspiracion. Kjo është kërkesë ulëritëse e qytetarëve, fermerëve, tregtarëve, turistëve, studentëve, akademikëve. Na duhet gjithçka për ekonominë tonë dhe do bëjmë gjithçka për këtë.” – tha Rama.