Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja fillon vaksinimin e fëmijëve të moshës 5-11 vjeç


Shtetet e Bashkuara filluan të mërkurën vaksinimin e fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç për COVID-19, pas miratimit përfundimtar të vaksinës Pfizer nga zyrtarët amerikanë.

Dr. Rochelle Walensky, drejtorja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e dha miratimin përfundimtar të martën në mbrëmje.

“Sot është një ditë monumentale në rrjedhën e kësaj pandemie,” tha Dr. Walensky.

Ajo tha se ndërsa rreziku për raste të rënda dhe vdekjes është më i ulët tek fëmijët e vegjël sesa tek të rriturit, ai është real – dhe se COVID-19 ka pasur një ndikim të thellë social, të shëndetit mendor dhe arsimor tek fëmijët, përfshirë hendekun e pabarazive në arsim.

Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi një grup këshillimor ekspertësh i CDC’së vendosi unanimisht që vaksinat e Pfizer t’u jepeshin 28 milionë fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç.

Miliona doza të prodhuara nga Pfizer dhe partneri i saj BioNTech u janë dërguar tashmë shteteve, mjekëve dhe farmacive. Ato janë më të vogla, sa një e treta e atyre që përdoren për adoleshentët dhe të rriturit.