Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku përplaset me Ahmetajn: “Bën batuta dy lekëshe, a do të çoj edhe ty në SPAK si Veliajn?”


Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku është përplasur sot në Kuvend me zv.kryeministrin dhe ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj.

Zonja Tabaku mori fjalën në Kuvend pasi kishin folur më parë Arben Ahmetaj si dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Ajo theksoi se PD nuk do ta votojë ligjin e bashkëqeverisjes.

Ndërsa Tabaku fliste, në një moment ndërhyri Ahmetaj, gjë që e irritoi deputeten demokrate e cila tha se ai duhet të ishte para SPAK e jo në Kuvend duke bërë batuta “dy lekëshe”. Ajo e paralajmëroi se edhe ai mund të kishte fatin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe do e çonte në SPAK.

Pjesë nga Debati:

Jorida Tabaku: Të dëgjosh batuta dy lekëshe të Arben Ahmetajt që duhet të ishte sot para SPAK, që flet e bën humor për bashkëqeverisje, për socialistë e demokratë të ndershëm që nuk kanë asnjë lidhje me karakterin e tij, me të vërtetë është për të qeshur.

Në fakt duhej të kishim diskutime serioze këtu në Parlament. Duhet të flisnim me fakte, me shifra, duhej të flisnim se çfarë po ndodh sot me shtetin shqiptar. E kush është e ardhmja e shtetit shqiptar. Ligji tregon tendencën, mënyrën sesi këto duan të qeverisin, tregon problemagtikën që ka sot shteti.

E dëgjova ministrin e Drejtësisë që foli për luftën ndaj korrupsionit. Tha që “nuk bëjnë zyrtarët punën, vetëm Edi rama e bën punën dhe do i mbledhim të gjithë brenda çatisë së Edi Ramës: Agjencinë për bashkëqeverisjen, Agjencinë e Fondeve, Agjencinë e Medias, 4 ministri pa portofol, të gjitha… Do bëjmë një qeveri paralele brenda zyrës së kryeministrit se vetëm ai punon. Nuk punon asnjë tjetër.”

Foli për korrupsionin tek Kadastra kur nuk e di se si flet një Ministër Drejtësie për këtë…

E vetmja gjë e vërtetë që thanë ata që folën…

Ndërhyn Arben Ahmetaj nga vendi: Ditë e zezë!

Jorida Tabaku: Ditë e zezë kur je ti aty… Më lër të flas.

Arben Ahmetaj: Ditë e zezë…

Jorida Tabaku: Ditë e zezë në fakt ka ardhur për Shqipërinë me këta që qeverisin sot e po

dëgjojmë humor banal kur shqiptarët janë duke vdekur, janë për bukën e gojës.

(Ndërhyn përsëri Ahmetaj…)

Merr fjalën kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla: Zoti ministër ju lutem, mos flisni nga vendi.

Jorida Tabaku: Zonja kryetare të lutem dua të flas nëse ka mundësi.

(Flet përsëri Ahmetaj). Do të kthehesh edhe ti si Erion Veliaj? Do të shkosh edhe ti në SPAK si Erion Veliaj?

Unë e kuptoj zotin Ahmetaj që është në pozitë të vështirë. E kuptoj që vjen këtu, flet dy tre fjalë e ikën dhe nuk mban asnjë përgjegjësi, se kur s’kemi drejtësi.

Unë në fakt zoti Ahmetaj, për të gjitha shpifjet që bëhen ndaj meje i kam çuar përpara SPAK-ut, edhe ti këtë fat do të kesh.

Për t’u kthyer tek banalitetet që dëgjuam sot, e vetmja gjë e vërtëetë që folën është që Shqipëria ka kaluar 2 kriza të vështira. Shqiptarët sot pas dy krizave janë më të varfër.

Arben Ahmetaj: Në fakt jam në pozitë të vështirë, sepse ju kujtoni se jeni kundërshtarët tanë. Nuk jeni ju, janë ato pengesa të zhvillimit dhe të gjitha ato pengesa që nuk e lejojnë Shqipërinë të bëhet ajo që duam ne dhe ju. Ju nuk jeni kundërshtarët tanë.

Kur flasim për bashkëqeverisje, ju bëni këtë këngën naive se gjasme nuk duam të bashkëqeverisim. Ne duam që ju të bashkëqeverisni me ne nëpërmjet inovacionit për qytetarët, me platformën.

Se nuk bashkëqeverisni dot në mënyrën konvencionale, por hajde bashkëqeverisim në platformën për qytetarët.

Jorida Tabaku: Nuk e kam bërë ndonjëherë se kush jam unë e kush je ti, mua nuk më pëlqejnë fare këto diskutime sidomos me persona për të cilët është treguar profesionalizmi. Por bashkëqeverisjen e keni me ato që kanë bërë inceneratorin e Tiranës, ta harroni ta keni me Partinë Demokratike.