Vendosni fjalën kyçe....

Tritan Shehu në Kuvend: Të shpërndahet Komiteti i Ekspertëve, është instrument në duart e qeverisë


Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka kërkuar sot në Kuvend, shpërndarjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, duke e konsideruar atë një instrument në duart e qeverisë.

“Unë ju kërkoj të tjera elementë sot, e para duhet shpërndarë komiteti ekzistues pasi është thjeshtë një instrument në duart e qeverisë dhe që përdoret për fushatë elektorale e deri në mbylljen e gojës së deputetëve siç u pa sot. Të krijohet një Komitet i vërtetë, strukturalisht profesional sa më i pavarur dhe jo i mbushur me nëpunës të shtetit, gjë që ne mund ta realizojmë në vendin tonë. I kemi kapacitetet.

Të vijojë intensivisht përgatitja e sistemit parësor për të bërë të mundur realizimin e procedurave edhe më komplekse se ato që janë realizuar sot. Ky është rekomandim i misioneve ndërkombëtare për të sëmurët me Covid dhe komplikacionet e tyre.

Të merren masa reale për mbrojtjen e personelit përveç vaksinimit të tij. Të rimbursohen të gjitha shpenzimet për Covid. Të vihen në gadishmëri spitalet periferike. Të forcohen reanimacionet. Të liberalizohen testet e shpejta. Të organizohet ndjekja post COVID, të paraqitet një kalendar i plotë dhe i qartë. Të ndalojë përdorimi i gjithë vaksinave të pacertifikuara. Të realizohet vaksinimi masiv me dozën e tretë. Të vaksinohen të rinjtë dhe fëmijët me konsensusin e prindërve. Unë jam pesimist se ju do t’i bëni. Shenjat nuk janë të mira.”- deklaroi Shehu.

Gjatë fjalës së tij, Shehu akuzoi qeverinë se ka fshehur vdekjet si pasojë e Covid-19 në vend duke thënë se numri i vdekjeve nga koronavirusi në Shqipëri është ndër më të lartët në botë. Po ashtu kritikoi strategjinë e vaksinimit. Sipas deputetit të PD-së, qytetarët janë vaksinuar me vaksina të pacertifikuara dhe kjo ka dëmtuar besueshmërinë e procesit. Ai akuzoi qeverinë se nuk ka asnjë strategji lidhur me dozën e tretë apo vaksininimin masiv.