Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi nxjerr një foto në Parlament: Shkrepur mbrëmë në Beograd, provë për lidhjen direkte të Ramës me mafien e ilaçeve


Në seancën e sotme plenare në Kuvend, deputetja e PD-së Albana Vokshi ka nxjerrë një foto të kryeministrit Edi Rama të realizuar mbrëmjen e kaluar në Beograd, ku shfaqet me një çadër me logon e një firme farmaceutike.

Gjatë fjalës së saj, Vokshi e konsideroi këtë një provë për lidhjen direkte të Ramës me mafien e ilaçeve dhe sipas saj, pronari i kësaj kompanie është në arrest për kontrabandë ilaçesh.

“Shqipëria është e fundit në rajon, në Europë, në çdo tregues social, në shëndetësi apo arsim. Në Shqipëri asgjë nuk funksionon mirë. Edhe për vaksinimin në epokën e re të ministres Manastirliu jemi të fundit, qeveria, ministria kanë dështuar. Asgjë nuk funksionon sepse kryeministri e ka mendjen të mbrojë nga ndëshkimi njeriun të cilit i dha tendera sekretë gjatë pandemisë. Në një vend normal kjo nuk do të ndodhte.

Shiheni këtë foto, është bërë mbrëmë, në mes të Beogradit, shiheni logon në çadrën e kryeministrit. Kjo është provë për lidhjen direkte të Edi Ramës me mafien e ilaçeve.

Kjo tregon se askush nuk jep tendera sekretë pa dijeninë e tij e pa përcaktuar paraprakisht se kush do t’i marrë ato dhe sa për kujtesë me tenderat sekretë, kjo kompani që ka Edi Rama në çadrën e tij logo, i ka shitur qeverisë maska dhe pajisje mbrojtëse me 3 ose 5 herë më lartë se çmimi i tregut me pakicë. Sot pronari është në arrest për kontrabandë ilaçesh. Me këtë foto Edi Rama tregon që korrupsioni i vërtetë fillon dhe bëhet në zyrën e tij, ndaj SPAK duhet ta marrë menjëherë në pyetje atë.”- deklaroi Vokshi.