SPAK ka kryer një hetim në lidhje me abuzimin me ekspertimet për dëmtimet nga tërmeti.
Në skemën abuzive të hetuar nga SPAK kanë qenë të përfshirë ekspertë nga Instituti i Ndërtimit dhe administratori i njësisë Petrelë.
Nga hetimi janë arrestuar dy ekspertë pranë Institutit të Ndërtimit në Tiranë të dyshuar për falsfikim dokumentash. Ndërsa është lënë me arrest shtëpiak një ekspert tjetër.
Kurse për Administratorin e Njësisë Administrative Petrelë është vendosur detyrim paraqitje.
Këta persona kanë pasur si qëllim ndryshimin e aktit të konstatimit fillestar dhe aktit të ekspertizës së thelluar për një banesë në pronësi të tyre, me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve, duke paguar për këtë akt shumën prej 2000 (dymijë) euro, banesë që në fakt ishte prishur me parë nga IKMT-ja si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së.
Ata e kanë paraqitur atë si një banesë të dëmtuar nga tërmeti me qëllim për të përfituar nga granti i ri ndërtimit.
Në kryerjen e këtyre veprimeve ata janë ndihmuar nga funksionarë të Njësisë Administrative Petrelë, njësi e cila nuk ka vendosur skualifikimin e subjektit, por ka përcjellë praktikën përkatëse për këtë subjekt pranë Bashkisë Tiranë, me qëllim përfitimin në fillim të grantit dhe më pas të lejes së ndërtimit.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve në lidhje me procedimin penal nr. 154, të vitit 2020 ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila me vendimin nr. 92, datë 04.11.2021 ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues:
“Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personat nën hetim A.M. dhe F. H, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe i dytë i Kodit Penal; si dhe për personin nën hetim Dh. P., me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal
“Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim K.K. me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.
“Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik”, parashikuar nga nenet 234 dhe 240/1 gërma “a” të Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim S. K., me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Petrelë.
Nga hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, rezulton se personat nën hetim A. M. dhe F. H., në vitin 2020 në mënyrë të vazhdueshme, kanë bërë përpjekje për të mundësuar kryerjen e veprimeve të paligjshme me natyrë korruptive ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Nga provat e deritanishme ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se ata kanë ndërhyrë tek punonjësit e Institutit të Ndërtimit, Njësisë Administrative Petrelë në varësi të Bashkisë Tiranë.
Qëllimi ishte ndryshimi i aktit të konstatimit fillestar dhe aktit të ekspertizës së thelluar për një banesë në pronësi të tyre, me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve, duke paguar për këtë akt shumën prej 2000 (dymijë) euro, banesë që në fakt ishte prishur me parë nga IKMT-ja si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së.
Ata e kanë paraqitur atë si një banesë të dëmtuar nga tërmeti me qëllim për të përfituar nga granti i ri ndërtimit.
Në kryerjen e këtyre veprimeve ata janë ndihmuar nga funksionarë të Njësisë Administrative Petrelë, njësi e cila nuk ka vendosur skualifikimin e subjektit, por ka përcjellë praktikën përkatëse për këtë subjekt pranë Bashkisë Tiranë, me qëllim përfitimin në fillim të grantit dhe më pas të lejes së ndërtimit.
Të gjitha masat e sigurimit u ekzekutuan sot nga strukturat e Policisë së Shtetit.