Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një deklaratë për mediat tha se vendimi i Kushtetueses për zgjedhjet e 30 qershorit duhet të zbatohet nga Presidenti.
“Respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim. Natyrshëm që Presidenti i Republikës si institucion i rëndësishëm duhet të marrë vendimmarrjet në atë që përcakton Kushtetuta në këtë rast”, u shpreh Balla.
Më tej ai shtoi se nga ana e PD-së dhe partive të tjera pati përpjekje për të minuar dhe penguar zhvillimin e zgjedhjeve.
“PS është sot krenare për vendimmarrjen e vet për të garuar në zgjedhjet e 30 qershorit dhe të mos harrojmë që pati një përpjekje nga PD dhe partitë e tjera për të minuar këto zgjedhje”, tha ndër të tjera Balla.
Më tej Balla u pyet nëse qeveria i ka dërguar vakancat në Presidencë.
“Këto komunikime janë zhvilluar në kohën e duhur. Nuk duhet të harrojmë që është Presidenti i Republikës ai që ka këtë kompetencë dhe këtë pyetje nuk duhet të ma bëni mua”-deklaroi Balla.