Vendosni fjalën kyçe....

Fëmijëve të moshës 5 vjeç e lart në San Francisko do t’u kërkohet karta e vaksinimit


Fëmijëve mbi moshën pesë vjeç në San Francisko, në Kaliforni, së shpejti do t’u kërkohet të paraqesin prova se janë vaksinuar kundër Covid-19 për të hyrë në ambiente të brendshme siç janë restorantet.

Zyrtarja e shëndetit publik, Dr Susan Philip tha se ajo parashikonte që mandati i vaksinës të zgjatet për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç pasi të ketë kaluar koha e mjaftueshme që të miturit të konsiderohen plotësisht të vaksinuar. Pra 14 ditë pas përfundimit të dy dozave të Pfizer-it.

“Ne patjetër duam të presim dhe të sigurohemi që fëmijët të kenë një mundësi për t’u vaksinuar, jo më shpejt se tetë javë pasi vaksina të jetë e disponueshme për fëmijët.”- tha oficerja e shëndetësisë së qytetit, citon RT.

Do të ketë një kohë të kufizuar ku nuk do të ketë këto kërkesa. Por do të ketë një pikë ku fëmijët do të duhet gjithashtu të tregojnë prova të vaksinimit për të hyrë në disa nga ato mjedise.

San Francisko tashmë ka në fuqi urdhrin që të gjithë mbi 12 vjeç të dëshmojnë se janë vaksinuar kundër Covid-19 për të fituar hyrjen në bare e restorante, palestra dhe në organizimet e mëdha.

Ndërsa të rriturit duhet të tregojnë dokument identifikimi me fotografi së bashku me kartat e tyre të vaksinimit, kjo nuk kërkohet për adoleshentët pasi ata mund të mos kenë kartë identiteti. E njëjta qasje do të merret edhe për fëmijët më të vegjël, tha për Politico një zëdhënës nga Departamenti i Shëndetit Publik të San Franciskos.

Qyteti nuk ka humbur kohë në shtrirjen e kërkesës së vërtetimit të vaksinimit për fëmijët, pasi këto plane për ndalimin e 5-vjeçarëve të pavaksinuar për t’u futur në lokale, vijnë menjëherë pasi drejtoresha e CDC-së Rochelle Ëalensky miratoi vaksinimin e fëmijëve të kësaj grupmoshe me vaksinën e Pfizer-BioNTech.