Të tjera hollësi kanë dalë në dritë lidhur me zhdukjen prej dy javësh të biznesmenit Ruzhdi Hoxha i cili ka në pronësi një fabrikë intertesh në Kamëz. Sipas policisë, personi i fundit që është takuar me Hoxhën është shoku i tij, Ferdinand Rrushi.
Ai është marrë në pyetje pas shoqërimit në Komisariatin 5 ku ka deklaruar se bashkë me 43-vjeçarin e zhdukur dhe një shok tjetër kanë konsumuar një kafe në lokal në Kamëz.
Më pas, ka shtuar ai, Hoxha i ka kërkuar që ta shoqërojë me makinë deri në Fushë Mezëz e pasi e ka lënë atje nuk ka pasur më asnjë kontakt me të. Hetuesit kanë këqyrur lëvizjet e makinës së së Ferdinad Rrushit ditën e zhdukjes së Ruzhdi Hoxhës.
Ai është fiksuar nga kamerat në zonën e Zallherit. Ky i fundit ka qenë në kërkim nga drejtësia italiane pasi është dënuar për trafik droge në Xhenova dhe është ndaluar për t’u ekstraduar drejt vendit fqinj.
43-vjeçari, baba i dy fëmijëve ka humbur kontaktet më familjarët që prej 21 tetorit. Ka qenë djali i tij që në datën 24 tetor ka bërë denoncimin në polici për ngjarjen.
Familjarët e Ruzhdi Hoxhës kanë pohuar se ai ishte larguar edhe dy herë të tjera nga banesa, por ishte kthyer pas dy ditësh. Pista kryesore ku po hetohet është ajo e rrëmbimit dhe zhdukjes për shkak të borxheve që ka pasur Hoxha, pasi biznesi i tij ka qenë drejt falimentimit.