Vendosni fjalën kyçe....

Pasagjerët nga ajri rriten me 15% në shtator në raport me 2019-n, Wizz Air merr 40% të tregut


Numri i pasagjerëve që fluturuan përmes Aeroportit të Rinasit në shtator të këtij viti arriti në 390 mijë, sipas të dhënave të raportuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil, duke i tejkaluar nivelet e para krizës.

Në krahasim me të njëjtin muaj të 2019-s janë 15% pasagjerë më shumë, ndërsa në raport me shtatorin 2020, kur vendi sapo po hapej nga pandemia, lëvizjet janë trefishuar.

Me rritje të ndjeshme ishin fluturimet përmes charter-ave, përmes të cilëve lëvizin turistët që vijnë në vend nga agjencitë turistike.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, gjithsej fluturuan me charter-a 64 mijë pasagjerë, me rritje prej 33% në krahasim me 2019-n dhe 327% në raport me shtatorin 2020. Përmes charter-ave u realizuan 17% e fluturimeve në shtator.

Në ndarjen e tregut sipas operatorëve, më e madhi është WIZZ Air, përmes të cilit kanë udhëtuar 40% e pasagjerëve. Operatori hungarez me kosto të ulët ka shtuar ndjeshëm destinacionet muajt e fundit.

Operatori i dytë më i madh është Air Albania, që në shtator 2021 kishte 9% të tregut.

I tregti është Alba Wings me 6% të tregut.

Renditjen e vijon Lufthansa me 6% dhe Austrian Airlines me 4%.

Aviacioni civil ishte sektori më i goditur nga pandemia. Në 2020-n, numri i pasagjerëve që fluturuan nga dhe drejt Rinasit ra me më shumë se 60%. Tregu është rikuperuar ndjeshëm këtë vit dhe nga muaji gusht numri i pasagjerëve po i tejkalon dhe nivelet e para pandemisë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor