Vendosni fjalën kyçe....

Sekretari i FRPD-së: Zgjedhjet për kreun nul, hakmarrje e Bashës pasi 70% e delegatëve kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar


Sekretari i Përgjithshëm i FRPD-së, Grigels Muçollari, ka akuzuar kreun e PD-së Basha se po hakmerret ndaj forumit rinor me veprimin e shpalljes së zgjedhjeve për kreun e kryesinë e organizatës.

Në një deklaratë nga selia e partisëm Muçollari tha se njoftimi i Bashës shkel statusin e FRPD-së si dhe statutin e PD-së pasi tejkalon kompetencat e kryetarit.

Po kështu, ai theksoi se vendimi i Bashës është nul e nuk do njihet dhe se ka ardhur pasi është marrë vesh se 70% e anëtarëve të forumit kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, si pjesë e nismës së ish-kryeministrit Berisha.

“Ky nuk është as akt, por veprim që shkel statutin e FRPD si organizatë partnere, si organizatë që ka vendosur rregulla dhe i parashikon në statut. Ky veprim shkel statutin e PD-së pasi tejkalon kompetencat e kryetarit. Ky veprim vjen pas firmosjes së peticionit nga delegatët që vijnë nga Forumi Rinor, 70% janë anëtarë të forumit. Ky veprim vjen menjëherë pasi është marrë vesh kjo gjë. Vjen pasi është marrë vesh pjesëmarrja e kryetarit të FRPDSH te ‘Foltorja’. E konsiderojmë nul. I bëjmë thirrje kryetarit në detyrë Basha, nuk do të lejojmë asnjë moment as tentativat për intimidim ndaj anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që rrjedhin nga Forumi. Nuk do ta lejojmë shkeljen e statutit, dinjitetit tonë, rregullat e organizatës që ne drejtojmë. I bëjmë thirrje të tërheqë urdhrin që ka nxjerrë, për veprimin që nuk përmbush asnjë nga kërkesat statutore. E konsiderojmë akt uzurpimi të FRPD-së, e konsiderojmë hakmarrje ndja FRPDSH, që për hir të vërtetës nuk është hera e parë. Statuti parashikon qartë se hapjen e zgjedhjeve e shpall kryesia e FRPD-së, procesin e drejton Sekretari i Përgjithshëm i Forumit, pra unë, në bashkëpunim me Kryesinë. Këto janë veprime të ulëta dhe të pamoralshme”. – tha Muçollari.