Kreu i qeverisë ka deklaruar mbrëmjen e sotme se ajo që po ndodh në PD është një fatkeqësi që i lë shije të hidhur.
Kryeministri Rama e bëri deklaratën në emisionin ‘Kjo Javë’ të gazetares Nisida Tufa ku tha se qeverisja e tij nuk është aspak komode me një opozitë si ajo që ka vendi.
Ai e quajti presidentin Meta një fatkeqësi për vendin ndërsa theksoi se reforma në drejtësi po ecën mirë pavarësisht ulje-ngritjeve.
“Është fatkeqësi në zhvillim e sipër në PD që të lë shije të hidhur. Katandisja e një partie që lindi si forca e re e shpresës dhe së ardhmes në një zonë të zymtë ku klith e shkuara është vërtetë për të ardhur keq. Sa më sfiduese të jetë opozita aq më e mirë qeverisja. Ne kemi pasur fatkeqësinë të sfidohemi nga një opozitë e dhunshme, muskujsh e agresionesh që kanë më shumë lidhje me barbvarinë sesa me demokracinë. Nuk jam komod që përballë kemi një opozitë që nuk na sfidon intelektualisht. Për shtetin shqiptar Ilir Meta ka qenë fatkeqësi për të mos thënë më shumë e pastaj për LSI-në është çështje e tyre, e asaj pjese që vijon akoma të ekzistojë. Reforma është në rrugën e duhur me të gjitha ulje-ngritjet e saj. Reformën në drejtësi nuk e bëjmë ne, ne e mbështesim.” – tha Rama.