Nga Ferdinand Dervishi
Deklarimi i Ministres së re të Bujqësisë për vëmendje në drejtim të arsimimit të barinjve, të shprehur në formën “akademi për barinjtë”, ka shkaktuar një tallaz të ri humori mes një shumice shqiptarësh. Kjo, si të thuash, po përbën lajmin gazmor mbarëpopullor, në majën e sojit të vet, këto ditë.
Po të besosh mediet e shumta sociale, që sigurisht duhen marrë parasysh me përzgjedhje për informacionet që emetojnë, “gafa” duket sikur është artikuluar nga njeriu i duhur. Ministrja e re nuk ka shpërfaqur ndonjë karrierë për t’u vlerësuar në dobi të shqiptarëve, por një të tillë në shërbim të vetes dhe Rilindjes.
Gjithsesi, në rastin e “akademisë së barinjve” ajo është krejt në rregull, qoftë në fjalët që ka përzgjedhur për të lëshuar propozimin, qoftë për peshën që i ka dhënë idesë së investimit për zhvillimin e blegtorisë.
Së pari, ne shqiptarët përgjithësisht kur përdorim fjalën “akademi” konceptojmë sferat më të larta të arsimimit, na sillet në mendje pesha e akademive të arteve e të shkencave, etj. Në fakt, “akademi” do të thotë/barazohet me kuptimin e një sistemi njohurish dhe kjo gjendet në çdo fjalor shpjegues.
Sipas “Cambridge English Dictionary – Fjalor i Anglishtes i Kembrixhit”, i pari që del gjatë kërkimit në internet, koncepti “akademi” ka kuptimin: “organizatë që synon të mbrojë dhe zhvillojë artin, shkencën, gjuhën, etj., ose një shkollë që mëson një lëndë të caktuar, ose trajnon njerëz për një punë të caktuar”.
Pra, përdorimi i fjalës “akademi” nga ministrja e re, është edhe korrekt edhe në kontekstin e duhur, përderisa ajo dëshiron të përçojë te të tjerët iniciativën për të trajnuar një grup njerëzish, me një sistem njohurish të caktuara, me qëllim që ata të nxënë/përvetësojnë një profesion konkret.
Së dyti, edhe pse fermerët shqiptarë edhe për shkak të politikave qeveritare, po i hedhin produktet bujqësore poshtë, ministrja nuk gabon asnjë grimë për investimin në blegtori. Blegtoria e ka shoqëruar shqiptarin në shekuj si një mundësi jetese e detyruar nga rrethanat dhe e zgjedhur nga paraardhësit. Historia, vendosja gjeografike, terreni etj., e kanë diktuar këtë. Për pasojë, rikthimi andej nga duhet të na shtyjë tradita, nuk ka pse të tingëllojë keq.
Larg ideve anakronike për hedhur në hapësirë satelitë “Made in Albania”, historia e ka paracaktuar se, qoftë Shqipëria, qoftë shtete të tjera të Ballkanit, janë me shekuj larg projektimit e ndërtimit të industrive konkurruese si psh., të prodhimit të automjeteve “Mercedes Benz” apo qoftë të telefonave celularë, si “Samsung”.
Historia ka paracaktuar një Shqipëri bujqësore – blegtorale që aktualisht, në rrethanat e reja të krijuara, mund të ndihmojë së tepërmi turizmin. Pra, zhvillimi i turizmit në Shqipëri mund të ketë suksesin e dëshiruar nëse do të investohet te kultivimi i industrisë ushqimore, në mënyrë që klientët e huaj të priten në restorante me ca produkte biologjike, ku mes të tjerave, djathi të ketë aromën e shijen e djathit dhe gjalpi – ato delikatesa që ne kemi harruar t’i shijojmë që nga kohërat e komunizmit.
E që këto ushqime t’i kemi të gjithë në tavolinat tona, që të kemi sa më pak produkte të ardhura nga përpunimi masiv i qumështit pluhur, ideja e Ministres së re të Bujqësisë, nuk duhet humorizuar, por përshëndetur.
Ajo flet për një investim njerëzor në blegtori, për njerëz që duhet të nxënë e përvetësojnë një profesion tashmë pothuaj të fshirë nga memoria jonë kolektive. Për të rinj, të cilët me mbështetjen edhe të shtetit, të kenë mundësi të krijojnë tufat e tyre të bagëtive si një biznes që do të ndihmojë, jo vetëm ata dhe familjet e tyre, por edhe gjithë shoqërinë tonë.
Por sa “akademik” është ky profesioni bariut?
Mundësia e ndjekjes së një dokumentari të sapopërfunduar, me titull “Shtegtimi i dhenve”, i autorit të mirënjohur, Vasjan Lami, do të ndihmonte shumëkënd të krijonte shpejt një ide reale.
Por, në pamundësi, mund të thuhet se ky profesion në zhdukje, që deri tani ka qenë trashëguar brez pas brezi, nuk ashtë aspak i thjeshtë. Përkundër. Duhen njerëz edhe të ditur edhe shumë të fortë.
Njerëz të ditur, sepse duhet të menaxhojnë jetët e qindra krerëve të bagëtive, duhet t’u sigurojnë ushqimin e përditshëm dhe të bollshëm, t’i strehojnë, t’i ruajnë nga moti anormal, nga releivi, duhet t’u rrinë te koka kur çelin të vegjlit e tyre, duhet të bëjnë edhe veterinerin (degë e mjekësisë që merret me parandalimin, kontrollin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve, çrregullimeve dhe dëmtimeve te kafshët) edhe zooteknikun (profesion i menaxhimit të kafshëve shtëpiake duke përfshirë trajtimin, mbarështimin dhe rritjen e tyre), duhet të dinë të mjelin e trajtojnë qumështin, të nxjerrin nënproduktet e tij etj., etj.
Duhen njerëz të fortë, sepse parashikohen udhëtime të gjata, fjetje jashtë, në natyrë dhe në kushte të vështira atmosferike, njerëz që të dinë të ndërtojnë stane në majat e maleve, ku bagëtia çohet për të dimëruar, të dinë të ndërtojnë fjetoret njerëzore me materiale rrethanore, të dinë të ruajnë bagëtitë nga kafshët grabitqare etj., etj.
Duhet besuar se ministrja e re këto të dhëna paraprake ka pasur në mendje, kur ka folur për trajnimin e barinjve dhe mbështetjen e shtetit për krijimin e tufave të bagëtive.
Tani, le t’i kthehemi pak vetes. Përse na duket ministrja qesharake? Përse fjala “bari” na bën krrak me fjalën “akademi” dhe na e nxjerr shpejt mendjen nga shinat?
Një gjykim i parë do të thoshte se shqiptarët tashmë janë duke e bërë zakon të bëjnë humor me të gjitha llojet e ideve dhe propozimeve, qoftë të vlefshme, qoftë korruptive, që vijnë nga një grup pushtetarësh që prej vitesh i kanë dhënë prova pafund antivlerash popullit të tyre.
Por, një tjetër gjykim, mund të argumentojë një pasojë edhe më të rëndë, edhe më të kushtueshme. Gjithçka mund të ketë lidhje me kultivimin vitet e fundit, ndër ne, të një psikologjie pranimi të mënyrës së menduarit të disa njerëzve që na janë bërë, përmes ekranit, më shumë se nëna e babai.
Të atyre lloj tipave që u kemi dhënë mundësinë, përmes zgjedhjes, edhe të na vjedhin, edhe të na grabisin e vrasin, edhe të na lënë pas në zhvillimin shoqëror krahasuar me vende të ngjashme, edhe të na ngrenë gishtin e mesit në publik, sa herë u acarohen nervat, si shenjën e fundit se çfarë kanë dëshirë të na bëjnë.
Janë ca njerëz punëmbaruar, xhepafryrë, që fundin e një dite pune, të menaxhuar me pushtet sulltanësh, duan ta kalojnë me humor, duan rrotull ata kllounët shkurtabiqë që spërdridhen e langaraqojnë, duan që të këmbejnë barcaleta e të gajasen.
Kjo mënyrë koncepti jetese, apo mënyrë e kalimit të ditës, duket se po na imponohet të gjithëve, duke na vrarë gjithçka të mbajtur nën kontroll nga arsyeja dhe logjika.
Pa shkuar te një paralele e barabartë me atë që komunizmi dhe Enver Hoxha arritën t’i bënin mendjes së shumicës së shqiptarëve, duket se tashmë jemi duke u infektuar nga një tentativë e dytë.
Një tentativë që po kërkon të na shtrembërojë rrjedhën normale të të menduarit, duke na diktuar një tjetër mënyrë, që me lehtësinë e zhvendosjes kah rastësia dhe rrjedha, justifikon si të pashmangshme ekzistencën dhe aktivitetin antizhvillimor, korruptiv dhe kriminal të kastës politike e shtetërore. Një mënyrë që po na dikton ecje në sipërfaqe apo cektësi, duke marrë gjithçka me sportivitet dhe gallatë, që po na arratis nga e vërteta ulëritëse e realitetit.
Prej këtu ka të ngjarë të analizohen edhe një pjesë e shkaqeve të rënies sonë të menjëhershme dhe masive në kotësinë e humorit të barinjve akademikë, paçka se në parim iniciativa është krejt normale.