Vendosni fjalën kyçe....

Fatbardh Kadilli: FRPD s’është levë e partisë, të rinjtë demokratë të refuzojnë sjelljen prej padroni të Bashës dhe të mos kërkojnë shpëtim te padroni tjetër



Ish-rivali për kreun e PD-së Fatbardh Kadilli ka regauar lidhur me vendimin e kryetarit të kësaj force politike Lulzim Basha, për të shpallur zgjedhjet në FRPD, vendim që u cilësua nul nga kreu i saj Belind Këlliçi. 

Në një postim në rrjetet sociale, Kadilli tha se FRPD nuk mund të kthehet në një levë të partisë dhe se të rinjtë demokratë duhet ta refuzojnë “sjelljen prej padroni” siç e quan ai të Bashës.

Sipas tij, ata nuk duhet ta kërkojnë shpëtimin tek një tjetër padron duke iu referuar ish-liderit Sali Berisha.

“Ndërhyrja në FRPD, një tjetër akt flagrant nga Kryetarokrati Basha. Forumi Rinor i Partisë Demokratike duhet të kthehet në organizatë demokratike europiane, dhe jo të mbetet organizatë e tipit sovjetik të ‘levës së partisë’. Forumi nuk duhet të jetë një strukturë burokratike me ‘udhëheqës’ të rëndë. Forumi duhet të jetë një bashkim i lirë, pa burokraci, i të rinjve që kanë mision përhapjen e ideve të djathta dhe nxitjen e rinisë të marrë pjesë në politikë. Të rinjtë demokratë duhet ta refuzojnë sjelljen prej padroni të Bashës, por nuk duhet ta kërkojnë shpëtimin tek një tjetër padron. Ata duhet të tregojnë se janë njerëz të lirë, në mendësi dhe në veprime. Ata duhet të tregojnë se janë brezi që do e çojë vërtet PD-në drejt të ardhmes europiane.”- shkruan Kadilli.