Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Federale pezullon urdhrin e Biden për vaksinimin e detyrueshëm në biznese


Një Gjykatë Federale Apeli në SHBA ka lëshuar një pezullim të urdhrit të presidenti Biden për vaksinim të detyrueshëm për punonjësit, duke e ngrirë kërkesën me argumentin se urdhri ngre shqetësime kushtetuese.

Urdhri i presidentit Biden thotë se kompanitë me 100 ose më shumë punonjës duhet t’u kërkojnë punonjësve të tyre ose të bëjnë vaksinën ndaj Covid-19 ose të testohen çdo javë.

Shumë shtete dhe kompani republikane, të tilla si gazeta konservatore Daily Wire, kanë paraqitur tashmë sfida ligjore ndaj urdhrit të diskutueshëm të Biden përpara se të ndërhyjë Gjykata e Apelit e Shteteve të Bashkuara për Qarkun e Pestë.

Gjykata vendosi pezullimin e urdhrit të shtunën përpara afatit të saj të janarit për ‘shqetësime të rënda statutore dhe kushtetuese’.

Peticioni në Gjykatën e Apelit erdhi nga biznese dhe shtete të shumta, duke përfshirë Teksasin.

“Seancat urgjente do të zhvillohen së shpejti.” – shkroi guvernatori i Teksasit Greg Abbott në lidhje me vendimin pasi Prokurori i Përgjithshëm i shtetit festoi fitoren e përkohshme mbi urdhrin federal.

“Ne do të kemi ditën tonë në gjykatë për të goditur abuzimin antikushtetues të urdhrit të Biden.”

Megjithatë vendimi i gjykatës ndaj urdhrit të presidentit Biden për vaksinën nuk është përfundimtar dhe kritikët do kenë një proces të gjatë përpara se të mund të festojnë fitoren.

Vendimi është një qëndrim i përkohshëm deri në marrjen e ‘veprimeve të mëtejshme’ nga gjykata pas dëgjimit të argumenteve në seancat urgjente që do të jenë pjesë e një ‘shqyrtimi të përshpejtuar gjyqësor’.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani