Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi i përgjigjet Bashës: Zgjedhjet në FRPD u shtynë nga tërmeti, pandemia e zgjedhjet e 25 prillit, do bëhen pasi PD të zgjidhë problemet e brendshme


Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, ka përsëritur sot se FRPD e LDG janë organizata partnere të PD-së që veprojnë sipas statutit të tyre e riorganizohen nëpërmjet votës së lirë e jo prej vullnetit personal të kreut të partisë.

Ai shton se ndryshe nga sa pretenduar kryedemokrati Basha, ka qenë pikërisht ky i fundit që ka sugjeruar shtyrjen e procesit zgjedhor për shkak të tërmetit e aksionit të FRPD-së në ndihmë të qytetarëve.

Këlliçi bën me tej me dije se me nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, Basha i ka kërkuar FRPD-së t’i përqendronte të gjitha energjitë në fushatë.

Ai e mbyll postimin në Facebook duke bërë me dije se FRPD-ja është e hapur për t’u riorganizuar sapo PD të zgjidhë problemet e veta me mendimin ndryshe në parti.

“FRPD dhe LDG janë organizata partnere të PD-së. Secila vepron me statutin e saj dhe riorganizohet nëpërmjet votës së lirë, e jo prej vullnetit personal të kryetarit të partisë.Ndihem i keqardhur që kryetari Basha e trajtoi mungesën e zgjedhjeve në FRPD si një letargji të qëllimtë nga ana jonë. Dëshiroj të sqaroj anëtarësinë e FRPD dhe të PD, si dhe të gjithë demokratët brenda dhe jashtë vendit, se ka qenë kryetari Basha që ka sugjeruar shtyrjen e procesit të zgjedhjeve për shkak të tërmetit shkatërrues të Nëntorit 2019 dhe aksionit tonë në terren për t’iu gjendur afër qytetarëve. Gjithashtu, prej karantinës dhe masave shtrënguese anti-Covid19 që paralizuan lëvizjen e lirë dhe veprimtaritë ekonomike, sociale e më gjerë. Me nisjen e vitit elektoral 2021, na u kërkua prej tij të përqëndronim të gjithë energjitë tona në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit, ku i tërë forumi rinor u angazhua në çdo qytet, lagje, rrugicë e fshat, për të fituar zgjedhjet dhe për të bërë Kryeministër Lulzim Bashën. Jemi të hapur për riorganizimin e brendshëm të FRPD, menjëherë sapo PD të zgjidhë problemet e veta me mendimin ndryshe në parti. Gjëja e fundit që i shërben PD në këto momente është një përçarje e rradhës mes të rinjve apo zonjave demokrate.” – shkruan Këlliçi.