Vendosni fjalën kyçe....

Pas FRPD-së, Basha hap garën edhe në Forumin e Gruas që drejtohet nga Albana Vokshi


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përveç garës për FRPD-në ka hapur garën edhe për drejtuesen e Forumit të gruas.

Kujtojmë se ky forum drejtohet nga deputetja Albana Vokshi, e cila kohët e fundit e ka kritikuar haptas Bashën ndërsa është deklaruar pro Sali Berishës.

“Pas vendimit për riorganizimin dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të Forumit Rinor, edhe Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë do të hyjë në një proces zgjedhor. Kryetari i PD Lulzim Basha udhëzoi zhvillimin e zgjedhjeve për kryetaren e LDGSH-së, post i cili mbahet me emërim që prej vitit 2012, si dhe të organeve të tjera drejtuese të Lidhjes së Gruas.

Zgjedhja e kryetares së LDGSH-së do të bëhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë. Kjo është hera e parë që anëtareve të Forumit të Gruas u njihet e drejta për të zgjedhur drejtuesen e tyre me votë direkte.”– thuhet në njoftimin e PD-së.

Kujtojmë se Vokshi, reagoi mbrëmjen e kaluar për vendimin për hapjen e garës në FRPD nga kryedemokrati Basha, duke thënë se organizatat partnere si FRPD apo LDGSH (Lidhja Demokratike e Gruas), kanë statut të veçantë dhe funksionojnë e organizohen në bazë të tij.

Sikurse njofton PD, Basha ka ngritur një grup të posaçëm për zgjedhjet në LDGSH i kryesuar nga Grida Duma: “Grupi i punës do të mbikqyrë mbarëvajtjen e procesit për zgjedhjen e Kryetares dhe zgjedhjet dhe riorgarnizimin e të gjitha forumeve të tjera të LDGSH në qendër dhe në degë. Në LDGSH mungojnë prej vitesh forume të tilla drejtuese si kryesia apo Këshilli Kombëtar i LDGSH-së.”

Grupi i punës për zgjedhjet në LDGSH-së përbëhet nga:

  1. Grida Duma  
  2. Arta Sakja  
  3. Dhurata Çupi  
  4. Orjola Pampuri  
  5. Greta Bardeli 
  6. Alfrida Marku  
  7. Ina Zhupa  
  8. Eralda Tase Bano  
  9. Zheni Gjergji 
  10. Ledina Aliolli