Pas takimit që patën me kryedemokratin Lulzim Basha në selinë blu, grupi i punës për zgjedhjet në FRPD, kanë dalë në një deklaratë për mediet.
Drejtuesja e grupit të punës Oriola Nebiaj, deklaroi se kryetari aktual i FRPD-së Belind Këllici është ilegjitim, e po ashtu edhe kryesia e këtij forumi. Kjo sepse u ka mbaruar mandati prej kohësh. Për këtë arsye ajo e konsideron të nevojshme një proces zgjedhor.
“Nuk kemi një datë për t’iu dhënë. Besoj se do të kemi një njoftim të mëvonshëm për kandidatët që do të marrin pjesë dhe procesin që do të zhvillohet. Partia Demokratike ka një statut të sajin nga e cila derivon dhe statuti i FRPD-së, e cila është një organizatë partnere në mbështeteje të funksionit të Partisë Demokratike.
Padiskutim që këto janë pretendime, të gjitha mandatet kanë kaluar dhe Forumi Rinor nuk ka një kryetar legjitim dhe një kryesi legjitime. Kështu që është e nevojshme një proces zgjedhor, që madje duhet të ishte bërë. Jemi gati të realizojmë një proces të bukur që nuk mandaton një kryetar për interesat e veta por për interesa gjithëpërfshirëse.”- tha Nebiaj.