Një incident i rëndë ka ndodhur sot, ndërsa gazetarja e njohur Anila Hoxha ishte sot duke raportuar nga vendi i ngjarjes ku u gjet trupi i pajetë i biznesmenit, Ruzhdi Hoxha.
Në një moment, një efektiv policie e ka shtyrë gazetaren e cila ishte pranë shiritit të verdhë që vendos policia për skenën e krimit.
Kjo nuk është e gjitha pasi gazetarja gjendej buzë greminës dhe mund të kishte rrezikuar jetën së bashku me një koleg të sajin, por për fatin e saj të mirë i priti një degë peme.
Operatori që po e filmonte e ka ndihmuar gazetaren të ngrihej, e cila nuk e ka mbajtur dot veten dhe ka nisur t’i bërtasë policit.
“Çfarë polici je ti more, copa e injorantit. Po nuk ke faj ti, fajin e kanë ata që ju mbajnë në punë”.– i drejtohet ajo policit e irrituar.
Më pas shton: “Shpëtova për pak, u kapa tek pema”.
Hoxha e ka paralajmëruar policin se do ta kallëzojë penalisht për këtë që ndodhi: “Do të denoncoj dhe do merrem personalisht me ty. Rrugaç.”
Pas incidentit, gazetarja nisi të fliste me kolegët të cilëve u sqaroi se çfarë ndodhi: “Më hodhi në humnerë, nuk po bëja asgjë. Po rrinim në shirit. Unë nuk jam person që sulmoj policinë, po rrinim në shirit. Kjo është e llahtarshme. Më hodhi ore.”
*Video Credit: Syri