Vendosni fjalën kyçe....

Policia jep informacionin zyrtar: Biznesmenin Ruzhdi Hoxha e gjetëm të mbuluar me zhavorr e gurë, i dyshuar është Fredi Rrushi


Policia e Tiranës ka publikuar informacionin zyrtar lidhur me vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, i cili u gjet i pajetë prapa Malit të Dajtit.

Në njoftimin e policisë thuhet se janë mbledhur prova të mjaftueshme, për të ngritur akuzën ndaj shtetasit Fredi Rrushi, si autori i vrasjes së biznesmenit.

“Si rezultat i punës hetimore të kryer nga Strukturat Hetimore të DVP Tiranë, është bërë e mundur zbardhja e autorësisë së kësaj ngjarje, ku dyshohet se shtetasi Fredi Rrushi, i arrestuar më datë 26 tetor 2021 nga DVP Tiranë, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve, është autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.”– thotë policia.

Biznesmeni u gjet mëngjesin e sotëm i vrarë dhe i mbuluar me zhavor e gurë në një greminë në Qafë-Mollë, mbrapa Dajtit.

I dyshuari, Ferdinand ose Fredi Rrushi

Biznesmeni Ruzhdi Hoxha, që ka në pronësi një fabrike inertesh në Kamzë prej dy javësh rezultonte i zhdukur.

Mbrëmjen e 24 tetorit, djali i tij Samir Hoxha ka denoncuar zhdukjen e babait në komisariatin numër 5, ku u ka thënë policëve se prej 3 ditësh nuk kishte mundur të komunikonte me të. Pas denoncimit, oficerët zbuluan se personi i fundit me të cilin Hoxha ishte takuar para se të zhdukej kishte qenë bashkëmoshatari i tij, Ferdinand Rrushi. Një person me precedent penal. Bashkë me një shok tjetër të tyre, kishin konsumuar kafe në një lokal në Kamzë.

DETAJET E POLICISË

Në lidhje me zbardhjen e rrëmbimit të 43-vjeçarit Ruzhdi Hoxha dhe gjetjen e tij, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Si rezultat i kërkimeve dhe punës hetimore 10 ditore të bërë nga grupi hetimor në Sektorin për Krimet e Rënda në DVP Tiranë u bë e mundur grumbulllimi i provave për autorësinë e kësaj ngjarje dhe mesditën e djeshme si rezultat i kërkimeve, shërbimet e policisë bënë të mundur që në zonën e Dajtit të gjenin një xhup ku pas verifikimeve rezultoi se i përkiste shtetasit Ruzhdi Hoxha.

Nisur nga gjithë provat e grumbulluara, paraditen e sotme, Strukturat Hetimore të DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Nr.4, Forcat Shqiponja, Fnsh dhe Instituti i qenëve të Policisë nën koordinimin e Deparatamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua një operacion kërkimi masiv në të gjithë zonën e Dajtit.

Si rezulat edhe i kontrollit me qentë e gjurmës u bë e mundur që në Qafë-Mollë , mbrapa Dajtit, në një greminë, u gjet i mbuluar me zhavor e gurë trupi i pajetë i shtetasit Ruzhdi Hoxha. Trupi i pajetë do transportohet në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.

Ndërkohë, po si rezultat i punës hetimore të kryer nga Strukturat Hetimore të DVP Tiranë, është bërë e mundur zbardhja e autorësisë së kësaj ngjarje, ku dyshohet se shtetasi Fredi Rrushi , i arrestuar më datë 26 tetor 2021 nga DVP Tiranë , si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve, është autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjore të kësaj ngjarje dhe të kryerjes se procedurave ligjore për ndalimin e autorit të kësaj ngjarje.