Kryeministri Rama e ka quajtur një mundësi me shumë potenciale nismën e Ballkanit të Hapur.
I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ të gazetares Nisida Tufa në News24, kreu i qeverisë komentoi edhe qëndrimin e Kosovës kundër kësaj nisme.
Ai shtoi më tej se Ballkani i Hapur është një mundësi e mirë për Kosovën për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së njohjes së vendit nga Serbia.
“Ka nga ana e politikbërësve në Kosovë një qasje që është krejt e ndryshme dhe është e drejta e tyre. Por kam bindjen se kjo nismë që ka shumë potencial në shumë drejtime dhe mund t’i hapë rrugën zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës. Unë dua më të mirën pë Kosovën por qasja e deritanishme është e destinuar të dështojë dhe nuk e ka çuar Kosovën asgjëkundi. Kosova është një realitet i pakthyeshëm, shtet sovran, po ka problemin e njohjes nga të gjithë për t’u ulkur në të gjitha instancat ndërkombëtare. Por nuk duhet të harrojë se nga vjen, është e lirë si rezultat i një lufte të mbështetur fuqimisht nga aleatët dhe nuk është në pozitat për të marrë rrugë të reja të pakonsultuara.” – tha Rama.