Kryeministri Edi Rama ka përsëritur këtë mëngjes paralajmërimin se se qytetarët e pavaksinuar nuk do të lejohen të futen në ambientet e brendshme publike pa “Green Pass”, ose kartën e vaksinimit.
Përmes një postimi në “Facebook”, Rama iu bën thirrje qytetarëve që të marrin vaksinën kundër Covid-19, pasi sipas tij situata epidemolgjike në dimër mund të imponojë vendosjen e kësaj mase.
“Mirmëngjes dhe me ftesën për të pavaksinuarit që të vaksinohen një orë e më parë, për të mbrojtur veten e për të mos u ndodhur jashtë mundësisë së aksesit në mjedise publike, nëqoftëse situata e dimrit do ta imponojë, ju uroj një fundjavë të mbarë.”- shkruan Rama.
Kujtojmë se ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, paralamëroi përmes një fjalimi në Kuvend në seancën plenare të së enjtes se ashtu si në vendet e Evropës edhe në vendin tonë do të vendoset rregulli për pajisjen me një certifikatë vaksinimi, për t’u futur në lokale, restorante apo për të marrë shërbime të tjera.