Të paktën tetë persona kanë vdekur dhe dhjetëra njerëz janë lënduar në një koncert në Teksas.
Sikurse shkruan BBC, turma filloi të shtyhej drejt pjesës së përparme të skenës në Festivalin Astroëorld të reperit Travis Scott.
Si pasojë, njëmbëdhjetë persona u dërguan në spital pasi kishin pësuar arrest kardiak dhe tetë prej tyre humbën jetën. Disa viktima janë të moshës deri në 10 vjeç.
Në medie thuhet se rreth 50 mijë njerëz morën pjesë në koncertin që po mbahej në natyrë, i cili u detyrua të anulohej për shkak të incidentit.
Politikania lokale, Lina Hidalgo, e ka përshkruar ngjarjen si “natë jashtëzakonisht tragjike”.
“Zemrat tona janë të thyera.”– ka thënë ajo, citon BBC. “Njerëzit shkojnë në organizime të tilla për të kaluar kohë të mirë, për të krijuar kujtime. Nuk është lloj organizimi ku prisni të keni viktima”.
Incidenti filloi rreth orës 21:15 të së premtes tha shefi i zjarrfikësve të Houston, Samuel Peña.
“Turma filloi të ngjeshej drejt pjesës së përparme të skenës dhe njerëzit filluan të panikohen.”- u tha ai gazetarëve. Përplasja mes njerëzve në turmë filloi të shkaktonte lëndime tek një pjesë e tyre.