Vendosni fjalën kyçe....

Tragjedi në Sierra Leone, 84 të vdekur nga shpërthimi i cisternës së naftës


Të paktën 84 persona kanë vdekur pas një shpërthimi masiv kur një cisternë karburanti u përplas me një kamion në kryeqytetin e Sierra Leones, Freetown.

BBC shkruan se karburanti u derdh përpara se të ndizej dhe si pasojë zjarri përfshiu kalimtarët dhe automjetet që gjendeshin në aty pranë.

Pamjet e transmetuara nga mediat lokale treguan trupa të djegur në rrugët pranë cisternës.

Presidenti Julius Maada Bio tha se ai ishte “thellësisht i shqetësuar nga zjarret tragjike dhe humbjet e tmerrshme të jetës”.

Në një postim në Twitter, ai tha se qeveria e tij do të bënte “gjithçka për të mbështetur familjet e prekura”.

Kryebashkiaku i Freetown-it, Yvonne Aki-Saëyerr, përshkroi se kishte parë foto “rrëqethëse” dhe tha se kishte “thashetheme se më shumë se 100 njerëz kanë humbur jetën”.

Morgu shtetëror raportohet se ka marrë më shumë se 90 trupa dhe rreth 100 njerëz po trajtohen në spitalet dhe qendrat shëndetësore rreth Freetown.

Shpërthimi besohet të ketë ndodhur në një kryqëzim jashtë supermarketit të ngarkuar Choithram në rajonin Wellington të qytetit, rreth orës 22:00 të së premtes.

Një autobus plot me njerëz ishte djegur plotësisht, ndërsa dyqanet dhe tezgat e tregut aty pranë u përfshinë nga flakët.

Brima Bureh Sesay, kreu i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive në Sierre Leone, tha për mediat lokale se incidenti kishte qenë “një aksident i tmerrshëm, i tmerrshëm”.