Vendosni fjalën kyçe....

Djali i Sokol Olldashit në “Foltoren” e Berishës: Që të vijmë në pushtet, duhet të hapim partinë


Në foltoren e mbajtur pasditen e sotme nga ish-kryeministri Sali Berisha me të rinjtë në Tiranë, ishte i pranishëm edhe Glauk Olldashi, djali i ish-ministrit dhe deputetit të ndjerë të PD-së, Sokol Olldashi.

Në mbyllje të takimit, i riu Olldashi mbajti një fjalim të shkurtër ku u shpreh se që PD të mundë modelin autoritar socialist nuk duhet të kthehet në një parti autoritare, por të hapet partia. Po ashtu ai u shpreh se nuk ka kush t’i përfaqësojë më mirë vlerat e PD-së se sa forumi rinor i PD-së.

“Nuk dua të ndalem në problemet e brendshme që ne kemi në partinë tonë pasi janë shumë, dhe janë diskutuar më parë. Ajo që dua të them është: Ne duhet të vijmë në pushtet për të gjithë shqiptarët, për ta bërë Shqipërinë një vend vërtet të lirë, ne jemi kundër modelit socialist autoritar, ne që ta mundim këtë model autoritar, dhe nuk mund ta mundim me një PD autoritare, duhet t’i ruajmë vlerat tona dhe t’i zbatojmë ato.

Kam besimin se do ta bëjmë këtë gjë, do ta hapim partinë dhe të bëhemi parti model jo vetëm demokratët por gjithë shqiptarët, me këtë model të frymëzojmë të gjithë shqiptarët të majtë e të djathtë. Së fundmi dua ta mbyll me këtë fjalë nuk ka se kush t’i përfaqësojë më mirë vlerat e PD se sa forumi rinor i PD-së.”- tha Glauk Olldashi.