Drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj është ndalur sot në Vorë. Një bashki e cila do të shkojë në zgjedhje të pjesshme vendore.
Gjatë fjalimit të tij para strukturave të partisë, Veliaj tha se fitorja e PS-së këtë radhë do të jetë edhe më e thellë se ajo e 25 prillit.
Ai ironizoi zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike, duke thënë se demokratët fokusin e kanë te foltoret dhe lufta e brendshme ndërsa partia e tij te problemet reale të njerëzve.
“Shikoni ata që kishim ne përballë. Janë duke u zënë me foltoret, cirku që shkon fshat më fshat. “Çfarë do ndodhë me Saliun dhe çfarë do ndodhë me Lulin?!” U provua ajo që ne thonim në fushatë, – këta nuk e kanë mendjen tek hallet e njerëzve, këta e kanë mendjen ku janë vetë. Fakti që ata janë duke u marrë me hallet e tyre, do të thotë që për popullin s’u ra kurrë në mend. Iu duheshin votat vetëm për atë moment, pastaj pas 25 prillit nuk janë dukur më se e kanë mendjen tek foltorja. Kurse ne duhet të fokusohemi aty ku e kanë mendjen njerëzit, aty ku e kanë hallin njerëzit, aty ku duhet të zgjidhim çështjet e njerëzve duke filluar nga ndërtimi deri tek shtëpia e fundit apo tek çdo nevojë tjetër.”- u shpreh Veliaj.
Më tej komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij i dha të drejtë Partisë Socialiste për zgjedhjet e fundit lokale.
Këtu Veliaj bëri deklaratën se është koha për të rindezur motorët elektoralë dhe sipas tij PS do të fitojë më thellë se më 25 Prill.
“Ne morëm vendimin e drejtë nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias që zgjedhjet vlenin. Kështu që ne po përgatitemi për zgjedhje në Rrogozhinë dhe në Vorë, ku do të fitojmë më thellë seç fituam në datën 25 prill, se po të shikosh ata që kishim përballë s’janë dukur më. LSI-ja e ka mbyllur komplet qepenin, ai dyqan nuk shet më, është komplet për likuidim. Ndërsa ata të tjerët janë cirku në fshat me foltoren. Ndaj ne kemi një argument për këto pak ditë sa na kanë ngelur deri në zgjedhjet e ardhshme edhe këtu në Vorë, për t’u thënë njerëzve që kemi qenë këtu me ta dhe meritojmë sërish besimin e tyre. Na dhanë një besim të paimagjinueshëm, duhet t’u jemi shumë mirënjohës dhe të bëjmë çmos që të mos zhgënjehen dhe t’i çojmë deri në fund të gjitha premtimet.”- shtoi Veliaj.