Vendosni fjalën kyçe....

Filmi “Eternals” ndalohet në Lindjen e Mesme për shkak të çiftit gay, reagon Angelina Jolie


Aktorja Angelina Jolie ka reaguar pas lajmit se filmi i saj i ri i “Marvel”, “Eternals”, është ndaluar nga disa vende në Lindjen e Mesme për shkak të portretizimit të një çifti homoseksual.

Gjatë një konference për shtyp, aktorja 46-vjeçare u shpreh se ishte “e trishtuar” që audienca do të humbiste filmin dhe “bukurinë e asaj marrëdhënieje”, duke i quajtur pikëpamjet e tilla injorante.

Të enjten u raportua se filmi i ri “Eternals” nuk do të shfaqej në Arabinë Saudite, Katar e Kuvajt për shkak të censurës, sepse përmban një çift homoseksual dhe puthje mes të njëjtit seks.

“Jam e trishtuar për këtë. Dhe unë jam krenare për Marvel që refuzoi t’i hiqte ato skena.”- tha Jolie, citon Daily Mail.

Filmi, i cili do të dilte në Lindjen e Mesme më 11 nëntor, është hequr nga faqet e internetit në disa vende që reklamojnë filmat e ardhshëm.

Asnjë arsye zyrtare nuk është dhënë, por homoseksualiteti është ende i paligjshëm në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe filmat që iu referohen çështjeve LGBT shpesh ndalohen atje.

“Eternals” paraqet çiftin e parë homoseksual të Marvel-it në ekran, superheroi Phastos, i luajtur nga Brian Tyree Henry, i cili ndan një shtëpi me personazhin Ben, të luajtur nga Haaz Sleiman.

“Unë ende nuk e kuptoj se si jetojmë sot në një botë ku ka ende njerëz që nuk do ta shihnin familjen që ka Phastos dhe bukurinë e asaj marrëdhënieje dhe asaj dashurie.”- u shpreh aktorja. “Si është e mundur që dikush është i zemëruar për këtë, i kërcënuar prej kësaj, nuk e miraton ose e vlerëson këtë? Është aq injorante.”- vazhdoi ajo.

Përpara publikimit, censuruesit në disa vende të Lindjes së Mesme kishin kërkuar modifikime për të hequr çiftin homoseksual. Por Disney, kompania që zotëron ekskluzivitetin e Marvel, refuzoi dhe filmi u ndalua.