Kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi ka deklaruar se i ka shpëtuar i padëmtuar një sulmi me dron në shtëpinë e tij, që ndodhet brenda Zonës së Gjelbër të sigurisë së lartë të Bagdadit.
Sikurse shkruan BBC, një dron i ngarkuar me eksplozivë goditi ndërtesën, duke plagosur gjashtë nga truprojat e tij në një tentativë të dukshme për vrasje.
Pas sulmit, Kadhimi bëri thirrje për “qetësi dhe përmbajtje nga të gjithë”.
Sulmi, i cili vjen pas trazirave të dhunshme mbi rezultatet e fundit të zgjedhjeve, u dënua si nga SHBA dhe nga Irani.
Thuhet se tre dronë u përdorën në sulmin ndaj banesës së kryeministrit të Irakut, të nisur nga Ura e Republikës në lumin Tigër, por dy prej tyre u rrëzuan.
Banesa e Kadhimit ndodhet në një zonë të qytetit ku ka shumë ndërtesa qeveritare dhe ambasada të huaja.
Imazhet e publikuara nga mediat irakiane tregojnë dëmtime në një pjesë të rezidencës si dhe një automjet SUV të parkuar në një garazh.
Mbetjet e dronit të mbushur me eksploziv u mblodhën nga forcat e sigurisë për ekzaminim, tha një zyrtar i paidentifikuar i sigurisë për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Tani është e parakohshme të thuhet se kush e kreu sulmin.”- citohet të ketë thënë zyrtari. “Ne po kontrollojmë raportet tona të inteligjencës dhe presim rezultatet e hetimit fillestar për të drejtuar gishtin te autorët.”
Kujtojmë se dronët komercialë të pajisur me eksploziv u përdorën nga grupi militant i Shtetit Islamik kur mbajti pjesë të Irakut verior, veçanërisht gjatë betejës për Mosulin në vitin 2017.
Mustafa al-Kadhimi, një ish-shef i inteligjencës, u betua në detyrën e kryeministrit në maj të vitit të kaluar.