Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Çuçi i kërkon falje gazetares Anila Hoxha për incidentin me policin: Është pushuar dhe do ndiqet penalisht


Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë në zonën e Dajtit, ku një efektiv policie shtyu gazetaren Anila Hoxha, e cila rrezikoi të binte në greminë por u prit nga një pemë.

Në një postim në “Facebook”, Çuçi shprehet se efektivi është larguar nga detyra dhe se ai do të ndiqet penalisht. Ai i ka kërkuar falje gazetares Hoxha për incidentin ndërsa paralajmëron se toleranca do të jetë zero për ngjarje të tilla.

Ministri u bën thirrje efektivëve të tjerë të policisë të mos bien në këtë nivel pasi e kanë përjashtimin sipas tij të garantuar.

“Lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, dua t’ju informoj se efektivi i policisë është larguar nga detyra. Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht.

I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj znj. Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë. I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero. Gjej gjithashtu rastin t’u bëj thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu.”- shkruan Çuçi.

Gazetarja Anila Hoxha ishte dje duke raportuar matanë Malit të Dajtit, nga vendi i ngjarjes ku u gjet trupi i pajetë i biznesmenit, Ruzhdi Hoxha. Por ndërsa qëndronte pranë shiritit të verdhë që vendos policia për skenën e krimit, një efektiv e shtyu atë dhe një koleg të sajin. Gazetarja tha se po të mos kishte qenë për pemën që e priti, do kishte rënë në greminë.