Përfaqësuesi i shoqatës së gjuetarëve “Gjuetia dhe Gjahu”, Bledar Flaga, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për të shtyrë moratoriumin e gjuetisë edhe me pesë vite të tjera.
Flaga shprehet se “asnjë argument, asnjë fakt, asnjë studim, asnjë analogji dhe asnjë llogjikë nuk do të mundej të justifikonte e as të legjitimonte një akt të tillë, sa idiot për nga këndvështrimi llogjik aq edhe absurd për nga këndvështrimi i menaxhimit praktitk të faunës së egër.”
Sipas tij, kjo është një shpërfillje arrogante ndaj objektivave socialë dhe të drejtave të sanksionuara në nenin 4 pika 1 dhe nenin 59, pika 1, paragrafi “dh” të Kushtetutës së Shqipërisë.
Nenet që citon Flaga:
Sipas tij, qeveria po fsheh problematikat e saj reale, që kanë të bëjnë me “brakonazhin galopant” siç shprehet ai dhe shpërdorimin e ekosistemeve tona, të cilat në vetvete fshehin paaftësinë e organeve shtetërore për të shtrirë autoritetin, kontrollin dhe zbatueshmërinë e ligjit në të gjithë territorin. Flaga shprehet se moratoriumi nuk ndëshkon gjuetarët, por është një mjet, “që synon të mbulojë paaftësinë dhe dështimin e administratës mjedisore dhe më tej atë të klasës politike qeverisëse“.
Kujtojmë se në një draft të nxjerrë për konsultim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kërkohet që viti 2021 mos të jetë viti kur moratoriumi në fuqi të marrë fund por të shtyhet edhe me 5 vite të tjera.
Kjo është shtyrja e dytë që i bëhet këtij moratoriumi që nisi në vitin 2014. Shtyrja e parë u bë në fund të vitit 2016, kur u vendos që të shtyhej me të paktën pesë vjet.
REAGIMI I PLOTË
Reagim mbi moratoriumin…
Nëpërmjet një projektligji të servirur së fundmi për konsultim publik, qeveria e Shqipërisë synon të miratojë një moratorium të ri mbi gjuetinë.
Një tjetër ndalesë 5-vjeçare, që synon t’i shtohet ndalesës mbi gjuetinë gjatë të 7 viteve të kaluara.
Duke e çuar në një total prej tashmë 12 vjet mohim i një prej karakteristikave përcaktuese të qënies dhe natyrës njerëzore.
Asnjë argument, asnjë fakt, asnjë studim, asnjë analogji dhe asnjë llogjikë nuk do të mundej të justifikonte e as të legjitimonte një akt të tillë, sa idiot për nga këndvështrimi llogjik aq edhe absurd për nga këndvështrimi i menaxhimit praktik të faunës së egër.
Një shpërfillje arrogante ndaj objektivave socialë, që legjitimojnë vetë ekzistencën e shtetit të së drejtës, të sanksionuara në nenin 4 pika 1 dhe nenin 59, pika 1, paragrafi “dh” të Kushtetutës së Shqipërisë.
Një arbitraritet tipik i kujt kërkon të fshehë paaftësinë dhe sharlatinizmin e vet politik, teknik dhe intelektual.
Cilësi këto të nevojshme për të kuptuar dhe realizuar kërkesat bazike të një menaxhimi të qëndrueshëm të faunës së egër në përputhje me të gjitha veçoritë specifike të territorit tonë.
Në ndryshim nga sa propagandohet, në realitet moratoriumi nuk është një kërkesë e justifikuar nga nevoja për të krijuar qetësinë e domosdoshme për shumimin e faunës.
Por është thjesht një tjetër kodoshllëk me anë të së cilit qeveria e Shqipërisë po fsheh problematikat e saj reale, që kanë të bëjnë me brakonazhin galopant dhe shpërdorimin e ekosistemeve tona, të cilat në vetvete fshehin paaftësinë e organeve tonashtetërore për të shtrirë autoritetin, kontrollin dhe zbatueshmërinë e ligjit në të gjithë territorin tonë.
Moratoriumi nuk e tutelon interesin publik për një mjedis të shëndetshëm, por përkundrazi ai lejon, që problematikat të akumulohen, shumëfishohen dhe rëndohen deri përtej kapaciteteve tona ripërtëritëse.
Që të kuptohemi mes njëri tjetrit…, moratoriumi nuk është një masë që na ndëshkon ne gjuetarët.
Ne nuk na prek aspak, siç nuk na preku dot në 7 vitet e kaluara.
Por ai është një metodë dhe mjet, që synon të mbulojë paaftësinë dhe dështimin total të administratës sonë mjedisore dhe më tej atë të klasës politike qeverisëse për të sjellë shtetin shqiptar në efiçencë funksionale.
Dështim ky, që buron kryesisht nga kapja e shtetit prej interesave të ngushta dhe meskine.
Dhe e gjitha kjo bëhet në mënyrën më të rëndomtë të mundëshme.
Bëhet duke tentuar, që me furçën e propagandës të përkëdhelë sedrën mazokiste të plebes populiste.
Ndërkohë, që kriminalizon pa të drejtë një pjesë të shëndoshë të popullsisë.
Shpërfill traditat dhe kulturën e një kategorie individësh.
Dhe favorizon keqbërësit, brakonazhin dhe brakonierët, ata, që edhe janë dëmtuesit realë dhe armiqtë më të mëdhenj të faunës së egër.