Vendosni fjalën kyçe....

Ngacmimi nga drejtori i shkollës në Pogradec, ministrja Kushi: Në shkollat tona s’ka vend për njerëz që dhunojnë pafajësinë e fëmijëve


Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar lidhur me rastin e ngacmimit seksual të dy nxënëseve në Pogradec, nga drejtori i shkollës.

Kushi theksoi se drejtori do të përgjigjet përpara drejtësisë dhe se në institucionet arsimore nuk do të ketë kurrë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve.

“Drejtori i shkollës në fshatin Stropckë të Pogradecit do të përgjigjet përpara drejtësisë dhe sigurisht do të marrë dënimin e merituar, sepse në institucionet tona arsimore nuk do të ketë kurrë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve tanë, qoftë edhe vetëm me fjalë apo mesazhe.

Por kjo ngjarje thekson rëndësinë dhe përgjegjësinë e lartë që ka shërbimi psiko-social në shkollat tona, i cili ndihmoi që rasti të identifikohet, trajtohet dhe referohet në institucionet kompetente, duke parandaluar degradimin e mëtejshëm apo ndonjë rrezik të mundshëm abuzimi e dhune ndaj të miturve.

Detyrë e jona emergjente është forcimi dhe përmirësimi i këtij shërbimi, në bashkëpunim të ngushtë me prindërit, komunitetin, institucionet dhe shoqërinë, për të parandaluar fenomene të tilla të rënda dhe krijuar një mjedis sa më të sigurtë e miqësor për të gjithë nxënësit dhe mësuesit.”- shkruan ministrja Kushi.