Vendosni fjalën kyçe....

Rama në Orikum për pastrimin e bregdetit: Kush ndot, do penalizohet me gjoba të larta


Kryeministri Edi Rama është ndalur në Orikumnë kuadrin e zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për pastrimin e bregdetit.

Gjatë kësaj vizite ku shoqërohej nga ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro, kryeministri Rama ka paralajmëruar se do të nisin gjobat për çdo rast të abuzimit me mbetjet.

Sipas tij ndotësit më të mëdhenj të mjediseve janë hotelet, restorantet dhe fabrikat.

 “Normalisht, tani do të hyjmë patjetër me penalizimet. Kush ndot do të penalizohet. Ndotësit më të mëdhenj janë subjektet private: hotelet, restorantet, fabrikat, që prodhojnë më shumë mbeturina. Duke patur parasysh bregdetin, ata që janë më aktiv në sezonin e verës si biznese gjobat duhet të jenë shumë të larta.”- deklaroi Rama.

Ministrja Kumbaro nga ana e saj u shpreh se do të nisë që tani puna për sezonin e ri turistik.

 “Kalendarin që po e ndërtojmë, po e ndërtojmë jo që sezoni i plazhit fillon më 1 Qershor, por sikur fillon më 1 Mars. Që të jemi gati pastaj që kur vërtet shtohet popullsia nga Maji e tutje, të kemi një pamje komplet tjetër në territor.

Javës që vjen do të zhvillojmë një takim në ministri me prefektët dhe kryetarët e bashkive të qyteteve bregdetare, për të replikuar modelin e qarkut të Vlorës me të gjitha qarqet. Ky tre mujor deri në shkurt do të jetë pikërisht ky lloj programi pune, paralel paralel me masat e tjera.”- tha Kumbaro.

Rama tha që pastrimi i vijës bregdetare do të vijojë përditë në të gjithë Shqipërisë në bashkëveprim me pushtetin vendor, si edhe me qytetarët.